Drejt përfundimit rikonstruksioni i shkollës “Avni Rustemi” në Kukës, kushte dinjitoze për 840 nxënës

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Kukës po shkon drejt përfundimit të rikonstruksionit të plotë të godinës, në kuadër të investimeve të realizuara nga Ministria e Arsimit dhe Bashkia Kukës.
Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale foto nga punimet e kryera deri tani, teksa thekson se shkolla e re do të ofrojë kushte moderne dhe dinjitoze për 840 nxënës dhe mësues.
Sipas tij, rikonstruksioni përfshin klasa të reja, laboratorë bashkëkohorë, bibliotekë si dhe terrene sportive.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se 42 shkolla në të gjithë vendin do të rikonstruktohen me standarde bashkëkohore brenda këtij viti.
Investimet në arsim mbeten një nga prioritetet e qeverisë, ndërsa projekti për rilindjen e shkollave synon transformimin e infrastrukturës arsimore në mbarë vendin.
/m.q/r.e/