E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili: Vizioni ynë, t’i japim publikut një televizion të 2025-ës

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili në fjalën e saj në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias (MDF), prezantoi vizionin strategjik të ri të RTSH-së, që synon transformimin e transmetuesit publik në një media moderne, me standarde europiane. Për këtë qëllim, nënvizoi Vasili, RTSH ka zgjedhur si partner Unionin Europian të Transmetuesve (EBU), që do të ofrojë asistencë teknike dhe këshillimore.

“Duam të kemi standarde. Jemi të vetëdijshëm që jemi disa dekada pas, ndaj na duhet një ritëm i madh për të përmbushur pritshmëritë e publikut të vitit 2025,” tha ajo.

Vasili foli hapur për sfidat me të cilat përballet institucioni, nevojën për modernizim dhe përkrahjen që kërkohet nga aktorët institucionalë.

“Ka një luftë brenda meje, një betejë mes gazetarit dhe menaxherit,”, u shpreh Vasili. Ajo shtoi se mënyra se si perceptohet sot RTSH, është një sfidë e madhe.

“Kur dëgjoj pyetjen ‘kush e sheh sot RTSH-në?’, për mua, si drejtoreshë e përgjithshme, kjo është si një thikë në zemër,” tha ajo.

Vasili nënvizoi se shqetësimi i saj kryesor nuk është presioni politik, por mungesa e tij, që sipas saj mund të çojë në humbjen e relevancës dhe ndikimit publik të transmetuesit.

“Jam krejtësisht e shqetësuar për të kundërtën, mungesën e presionit politik në RTSH. Humbja e audiencës, e faktorit të impaktit, është alarmuese,”shtoi ajo.

Drejtoresha u shpreh se ka zgjedhur të jetë transparente për gjendjen që ka gjetur në institucion dhe ka kërkuar mbështetje nga Kuvendi, qeveria, partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorët vendas për të ringritur RTSH-në në standardet që kërkon koha.

“Kam lindur si gazetare në këtë institucion. Pas gati dy dekadash larg, RTSH më duket ndryshe – disa gjëra më keq, disa më mirë. Por është koha të flasim për të ardhmen,” – tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›