E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reforma në Drejtësi, Dumani nga Gjirokastra: SPAK, shembulli që tregon se ndryshimi është i mundur

Në vetëm 6 vite, SPAK ka arritur të zbatojë parimin se asnjë nuk është mbi ligjin. Kështu u shpreh nga Gjirokastra drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani i cili u ndal te arritjet, vlerësimet në raportet ndërkombëtare për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë për të përmirësuar rezultatin në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024 të Transparency International.

“Janë ngritur akuza të rëndësishme ndaj zyrtarëve të lartë, deputet, gjyqtar. Një tjetër arritje ka qenë goditja e grupeve të organizuar kriminale”, tha Dumani.

Këtë analizë të përmbledhur të  institucionit që drejton Dumani e bëri gjatë takimit hyrës të prezantimit të projektit të universitetit “Eqrem Çabej”, “Edukimi evropian për qeverisje më të mirë në rajonin e Shqipërisë” nga ku theksoi se arsimimi evropian nuk është thjesht marrja e njohurive të reja, por mbi të gjitha formimi qytetar.

“Vlerësojmë respektin për ligjin, meritokracinë dhe transparencën. SPAK është një model për t’ju treguar se ndryshimi është i mundur”, tha ai.

Fjalën e tij kreu I SPAK e ka mbyllur me një mesazh për të rinjtë duke u shprehur  “Çdo student që zgjedh të jetë i ndershëm, çdo i ri që refuzon korrupsionin, çdo qytetar që kërkon llogari dhe angazhon përpjekjet e tij në këtë drejtim, është pjesë e një zinxhiri që forcon drejtësinë dhe e bën më të sigurt rrugën e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian”.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›