E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj: Nga 1 Janari rriten pagat për punonjësit, rishikojmë eficencën e strukturës sonë

Drejtori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, ka deklaruar se nga data 1 Janar do të hyjë në fuqi një rritje e përgjithshme pagash për të gjithë punonjësit e institucionit.

Sipas Xhafajt, ky vendim vjen në një periudhë sfiduese, por është i domosdoshëm për të mbështetur punonjësit dhe për të garantuar një shërbim postar më cilësor dhe më efikas.

“Do të kemi një rritje pagash për gjithë sektorin publik nga 1 Janari. Jemi duke replikuar sipas udhëzimeve të Ministrisë së linjës edhe në Postën Shqiptare. Rritja do të përfshijë të gjitha stratat, duke nisur nga paga dysheme, e cila do të jetë 50 mijë lekë në muaj,” u shpreh Xhafaj.

Ai shtoi se rritja e përfitimeve financiare do të prekë edhe punonjësit me pozicione të tjera, me qëllim motivimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit.

“Ne jemi të angazhuar të rrisim cilësinë dhe eficencën e shërbimeve postare, qofshin ato financiare apo universale. Kjo rritje page është një mesazh i rëndësishëm për të gjithë punonjësit tanë,” theksoi drejtori.

Xhafaj bëri të ditur gjithashtu se Posta Shqiptare po punon paralelisht për një reformë të thellë strukturore, duke marrë modele nga vendet simotra në rajon dhe BE, me synim rritjen e performancës dhe përputhjen e standardeve me kapitullin 6 të negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.

“Dy janë kushtet kryesore: rishikimi i eficencës së strukturës sonë dhe mbajtja e angazhimit për rritjen e pagës mesatare, së bashku me përmirësimin e cilësisë së burimeve njerëzore,” deklaroi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›