E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezullimi nga detyra, avokatët e Ballukut ankimojnë në Apel masën e sigurisë

Avokatët e Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë depozituar në Gjykatën e Posaçme të Apelit një ankim ndaj vendimit të GJKKO-së, e cila vendosi masat e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” për të.

Vendimi i GJKKO parashikon që Balluku të pezullohet nga të gjitha funksionet e larta shtetërore si Zv.kryeministre dhe ministre  si dhe t’i ndalohet largimi jashtë territorit shqiptar.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë nëse do të marrë ose jo në shqyrtim ankimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave. Qeveria pretendon se vendimi i GJKKO-së ka krijuar një konflikt kompetencash mes Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një ministri.

Belinda Balluku është marrë në hetim nga SPAK lidhur me shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë në tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›