Drepanocitoza, mungesa e diagnostikimit po shton lindjen e fëmijëve të sëmurë

Një djalë vetëm 12 vjeç që vuante nga drepanocitoza humbi jetën disa ditë më parë. Prindërit bartës të kësaj sëmundje nuk kishin dijeni që ia kishin trashëguar fëmijës ndaj dhe mungesa e trajtimit rezultoi me fatalitet.
Mjekja e shërbimit të onkohematologjisë në QSUT, Manika Kreka, thotë se për fat të keq kjo sëmundje, që nuk është ekskluzivisht anemi, nuk mund të diagnostikohet në vitet e para të jetës, pasi ndryshon në paraqitjen klinike.
“Individi vuan nga një dhimbje kronike, herë pas here me thellime që mund të bllokojnë të ecurën , fry marrjen, organet jetike, mund të shkaktojë edhe infektim të trurit dhe të përfundojë fatalisht. Klinika e shumëfishtë nuk shfaqet njëlloj tek çdo individ që e ka, në çdo gjurmë të materialit të tij genetik“, tha mjekja Manika Kreka.
Për fat të keq nga mungesa e diagnostikimit rastet po shtohen.
“Është vënë re që vitet e fundit kemi pasur rritje të rasteve me drepanocitozë, pra ndërkohë që flasim për ulje të talasemisë për shkak të ndërgjegjësimit në rritje, nga ana tjetër kemi një shtim të rasteve me drepanocitozë jo vetëm në zonat e prekura, por edhe në zona të tjera pasi ky është një gen që migron. Vitin e kaluar kemi pasur 8 raste me drepanocitozë dhe talaso-drepanocitozë që nuk është ekskluzivisht anemi, pra nuk mund të diagnostikohet edhe në vitet e para të fëmijërisë, por në vitet e pubertetit sepse ndryshon në paraqitjen klinike. Mund të shfaqet me një dhimbje që e neglizhon herën parë, fillon më pas dhimbja e kockave herën e dytë, pastaj ajo e barkut“, tha mjekja.
Për të shmangur lindjet e fëmijëve të sëmurë mjafton vetëm kjo analizë.
“Elektroforeza e hemoglobinës është ekzaminimi më i thjeshtë dhe më i zgjedhuri që duhet të kryhet nga të gjithë individët në moshë fertile në mënyrë që të kuptojmë gjendjen genetike dhe të shmangim lindjet e reja. Depistimet në zona të caktuara të vendit përmes projekteve pilot kanë zbuluar shumë bartës. Ata nuk janë të sëmurë, thjesht duhet të bëjnë kujdes në martesë”, tha Dr. Kreka.
Këta pacientë duhet të paktën një herë në muaj të trajtohen në spital për të kontrolluar inflamacionin. Trajtimet aktualisht zbusin krizat e dhimbjeve.
Gazetare: Sonila Mlloja
/RTSH/