Elbasan, “rikthehen” kinezët, këtë herë jo si ndërtues por si turistë

Jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe në ditë të zakonshme qytetin e Elbasanit e gjen të mbushur me turistë. Edhe pse zakonisht është ndalesë një ditore, vizitorët e huaj shfaqin interes për historinë dhe kulturën e këtij qyteti.
Një grup turistësh kinezë kanë shfaqur interes për Elbasanin duke u ndaluar pikërisht. këtu, ku dekada më parë ata patën mbërritur jo si turiste por si teknik dhe inxhinierë për të kontribuar ne ndërtimin e njërës prej veprave më të mëdha të kohës se komunizmit siç është kombinati metalurgjik. Kohët kanë ndryshuar por interesi vijon dhe sot, ndërsa turistët shprehen të kënaqur me atë çfarë ky qytet u ofron. Ata evidentojnë mikpritjen dhe gastronominë e pasur.
“Elbasani ka më shumë kujtime me Kinën, marrëdhënien në kohën e dikurshme kur shteti kinez ka investuar tek metalurgjiku këtu në Shqipëri. Përgjithësisht janë shumë njerëz punëtor dhe të biznesit”, u shpreh një turist.
“Është hera ime e parë që vij në Elbasan. Më pëlqen shumë kalaja. Besoj se është një kala e vjetër dhe me shumë histori. Po ashtu rrugës pashë shumë monumente të cilat flasin edhe për një art shqiptar të zhvilluar. Sapo hymë në Elbasan më bëri përshtypje gjelbërimi dhe pastërtia. Mendoj që ky është një qytet i mirë për të jetuar, ndërkohë që njerëzit më duken shumë miqësorë”, tha një turiste.
“Elbasani më jep përshtypjen e një qyteti të vjetër dhe me histori. E kam vizituar edhe disa herë të tjera më parë. Më pëlqen shumë ushqimi dhe ajo që vihet re menjëherë këtu, është mikpritja e njerëzve. Di që këtu ka shumë artizanë. Duhet bërë më shumë marketing në internet, që turistët ta vizitojnë këtë qytet”, tha një turiste tjetër.
Natyra e bukur shqiptare, mikpritja dhe gastronomia, janë përshtypjet që turistët marrin me vete teksa largohen nga qyteti i bukur në zemër të Shqipërisë.
/RTSH/