“Drilon–Tushemisht Waterscape Park”, ndër 8 finalistët në Bienalen e Peizazhit në Barcelonë

TIRANË, 10 Dhjetor /ATSH/ Qendra e re e vizitorëve në Parkun Drilon–Tushemisht, e ridimensionuar plotësisht nga pikëpamja estetike, është tashmë gati, duke krijuar një pikëtakim harmonik mes natyrës, përkujdesjes dhe projekteve ekologjike infrastrukturore.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, njoftoi sot se projekti Drilon–Tushemisht Waterscape Park”, i realizuar nga Ministria e Mjedisit dhe AADF, është përzgjedhur ndër 8 finalistët më të mirë në botë në Bienalen Ndërkombëtare të Peizazhit të Barcelonës, mes 230 projekteve nga 20 vende dhe 4 kontinente.
Jaupaj bëri të ditur se restaurimi i qendrës së re të vizitorëve në parkun Drilon–Tushemisht, dhe përfundimi i projektit për zbatimin e Biosferës së Prespës janë investime të rëndësishme me ndikim në ekonominë dhe turizmin e zonë.
Ndërkohë, vijoi ai, restaurimi i Parkut të Drilonit është zgjedhur si një nga 8 projektet më të mira në botë për restaurimin e natyrës.
“Investimi është një vlerë e shtuar për këtë pikë turistike që është ndër më të frekuentuarat nga vizitorët gjatë sezonit dimëror”, shtoi ministri i Mjedisit.
Projekti njihet si një model i restaurimit ekologjik, ringritjes së habitateve dhe zhvillimit të turizmit të përgjegjshëm, duke kontribuar në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar dhe promovimin e natyrës si atraksion turistik. e.xh/j.p/