Drita rrëmben një pikë në Finlandë, Ramadani: Jemi të kënaqur

Skuadra kampione e Kosovës, Drita e ka nisur me një barazim aventurën e saj në fazën e grupit të Conference League. Të besuarit e trajnerit Zekirija Ramadani kanë firmosur një 1-1 në Finlandë përballë skuadrës së KuPS.
Pas një pjese të parë pa gola, finlandezët zhbllokuan sfidën në minutën e 74-ët me anë të sulmuesit Piotr Parazyszek. Kampionët e Kosovës reaguan në minutën e 80-të duke vendosur barazpeshën me anë të Dabiqaj.
“Jemi të kënaqur me një pikë. Psikologjikisht do të ketë rol të rëndësishëm, sepse po kthehemi të pamposhtur nga ky udhëtim dhe kjo do të thotë shumë për lojtarët në aspektin moral. Shpresoj të bëjmë më mirë në ndeshjen e radhës”, ka deklaruar pas ndeshjes trajneri Ramadani.
“Nëse luajmë thjesht dhe me guxim, do të jemi më të rrezikshëm për çdo kundërshtar. Nuk e ndjejmë veten inferior ndaj asnjë kundërshtari”.