E Premte, 6 Nëntor 2026

“Dritarja e cinizmit të Ramës”, Boçi: Aktet normative të qeverisë e pengojnë dialogun. Të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë qeverisë teknike

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një bisedë në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për mundësinë e hapjes së një dialogu me studentët që protestojnë.

Boçi e cilësoi këtë si një “dritare cinizmi”, duke argumentuar se mungesa e dialogut nuk lidhet me qëndrimet e ndryshme të studentëve, por me faktin se kryeministri e ka refuzuar atë që në momentin kur u kërkua nga protestuesit.

Sipas deputetit demokrat, veprimet e qeverisë dhe aktet normative të ndërmarra gjatë protestave janë treguesit më të qartë të mungesës së vullnetit për dialog. Ai përmendi gjithashtu, siç u shpreh, sjelljen e dhunshme ndaj studentëve dhe masat ligjore të ndërmarra nga qeveria. Ai theksoi se protesta është gjithashtu një formë dialogu, përmes së cilës studentët kërkojnë reflektim nga qeveria. Sipas tij, nëse Rama do të kishte vërtet vullnet për dialog, do të kishte mbajtur një qëndrim tjetër ndaj protestave dhe sjelljes së policisë.

“Është dritare cinizmi. Çështja e mungesës së dialogut nuk vjen se ka disa që bullizojnë disa të tjerë që duan dialogun, por është i vonë. Kur u kërkua nga studentët dialogu, Rama e refuzoi. Ata që tregojnë më shumë refuzimin e dialogut janë aktet që ka ndërmarrë Rama me protestat. Ka pasur sjellje të dhunshme ndaj studentëve, madje dhe aktet ligjore të ndërmarra. Protesta është dialog, në forma rigide që kërkon reflektim. Nëse Rama do të kishte dëshirë për dialog, do të gjente një sjellje tjetër kundër sjelljes së policisë. Nëse ai do dialog, le të japë dorëheqjen. Ai kërkon dështimin e protestave. Ramës i ka mbaruar koha, duhet të hapë rrugë për qeveri teknike, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”, tha ai.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›