“Gjobat janë fletë lavdërimi për protestuesit”, Zhupa: Nuk do të paguhet asnjë lek, janë antikushtetuese

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj gjobave të vendosura për qytetarët që marrin pjesë në protesta. Gjatë debateve në mbledhjen e komisionit, Zhupa i cilësoi ato si antikushtetuese dhe një mjet represioni, frike dhe kërcënimi nga një qeveri në ikje.
Ajo u shpreh se këto gjoba do të rrëzohen në gjykatë dhe se protestuesit nuk duhet t’i shohin si ndëshkim, por si një dëshmi të pjesëmarrjes së tyre në revolucionin kundër qeverisë.
“Këto janë fletë lavdërimi për këdo që e merr. Sigurisht që këto do të vihen në korniza, se për t’u paguar nuk do të paguhen”, deklaroi Zhupa.
Ajo e cilësoi skandaloze gjobitjen e qytetarëve për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, duke kujtuar se protesta zhvillohet në rrugë dhe se as komunizmi, sipas saj, nuk përdorte metoda të tilla ndaj qytetarëve që protestonin.
Pjesë nga debati:
Këto janë të gjitha gjoba antikushtetuese, të cilat janë makthi juaj, janë tmerri juaj. Ndaj ju ata protestues i gjobisni.Këto janë gjoba që asnjë lek nuk do të merrni nga këto, sepse këto janë gjoba që të gjitha do të rrëzohen nga gjykata.
Këto janë fletë lavdërimi për këdo që e merr, sepse tregon që ka qenë pjesëmarrës i revolucionit të shqiptarëve kundër tradhtarëve. Janë fletë lavdërimi për këdo që e ka këtë dhe sigurisht që këto do të vihen në korniza, se për t’u paguar nuk do të paguhen, se janë antikushtetuese.
Janë vetëm një mjet represioni, një mjet frike, një mjet kërcënimi i një qeverie në ikje.Ku e keni parë ju, në cilin vend të botës e keni parë ju këtë, që ju vihen gjoba qytetarëve se ke bllokuar rrugën, ndërkohë që është duke protestuar?
Se ku do të protestojnë, në majë të çatisë? Në rrugë do të protestojnë. Në rrugë kanë protestuar edhe atëherë kur thoshte ai ministri juaj dje që kemi protestuar dhe kemi rrëzuar komunizmin.
Në bulevard kanë protestuar, në rrugë kanë protestuar. Kanë rrëzuar buste. Sepse kjo që bëni ju është frika juaj, është reflektim. Kjo është e gjitha këtu. Në çdo pjesë shkruan frika e Edi Ramës. Tmerri i Edi Ramës dhe ikja e Edi Ramës.
Dhe kjo është një medalje për këdo që e merr. Fletë lavdërimi. Është turp që të përdorni këto metoda që nuk i ka përdorur as komunizmi. Metoda që ju gjobisni njerëzit që protestojnë, që gjobisni qytetarët që protestojnë!
Është skandal.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb