E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritat, çmimi do të rritet me 44%

Plani i qeverisë për zgjidhjen e problemit të energjisë elektrike parashikon rritjen më të madhe të çmimeve të kryer ndonjëherë në vend brenda një viti. Dokumenti përcakton që çmimi mesatar i shitjes së energjisë për vitin 2009 të arrijë në 11.57 lekë për kilovator nga 8.04 lekë që është aktualisht. Nëse realizohet, rritja arrin në masën 43.9% dhe është më e madhja e realizuar ndonjëherë në historinë e vendit. Çmimi i mësipërm do t’i garantojë tregut të energjisë elektrike 457 milionë euro të ardhura dhe fitime prej rreth 60 milionë eurosh në vit.

Rritja e çmimit të dritave filloi në vitin 2002, kur Shqipëria doli vend me deficit të konsiderueshëm energjetik dhe kur u pa që investimet e nevojshme për furnizim të rregullt, kërkonin një çmim më të lartë. Sipas një studimi të vitit 2001, çdo kilovator shtesë në furnizim, në rastin e Shqipërisë e kishte çmimin rreth 13 lekë. Studimi bazohej mbi koston e investimeve për termocentrale të reja si dhe koston e zgjerimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes. Shumë ekspertë besojnë se ai studim është tashmë jashtë realitetit sepse parashikonte kosto të energjisë me çmim reference nafte prej 35 dollarësh për fuçi. Të gjitha kostot e tjera të lidhura me materialet bazë janë rritur gjithashtu.

Fatura e energjisë elektrike është shumëfishuar për shqiptarët gjatë këtyre viteve, megjithatë, zgjidhja nuk duket në horizont. Vendi përjetoi një krizë më të madhe energjetike vitin e kaluar sesa në vitin 2002, pavarësisht se çmimi i dritave qe katërfishuar ndërkohë.

Por angazhime të tilla nuk janë mbajtur

Pavarësisht se programi i shkruar paraqet si të vetmen zgjidhje për problemin e dritave, rritjen e fortë të çmimeve, ka shumë pak gjasa që kjo gjë të ndodhë. Dokumenti i Planit të Masave është hartuar nga KESH dhe është miratuar nga qeveria, por edhe më herët, programi i rritjes së çmimeve nuk është respektuar. Çmimi i dritave nuk u rrit më 2006 dhe pësoi rënie në vitin 2007. Këtë vit, qeveria qe angazhuar të rriste çmimin me 37% deri në 9.7 lekë për kWh, por Enti Rregullator i Energjisë e refuzoi kërkesën e KESH e për pasojë shqiptarët paguan një rritje prej vetëm 13%.

Cikël elektoral

Nga eksperienca e deritanishme, qeveritë kanë pranuar rritje të konsiderueshme çmimi vetëm në vitin e tretë të mandatit. Qeveria socialiste pranoi rritjen më të madhe të çmimit në vitin 2004, ndërsa shtrëngoi dorën në vitin 2005, për shkak të zgjedhjeve. Qeveria e sotme pranoi rritjen e çmimit këtë vit, por viti i ardhshëm do të jetë gjithashtu vit zgjedhor dhe gjasat janë që çmimet të mos rriten. Vetëm se në këtë rast, duhet pasur parasysh edhe lidhja tjetër zgjedhje-krizë energjetike. Zakonisht krizat më të rënda energjetike kanë ardhur pikërisht pas viteve zgjedhore.

Situata aktuale jep shpresa se vendi do të ketë furnizim pranë normales me energji elektrike edhe për vitin e ardhshëm, pavarësisht se kostoja për ekonominë kombëtare po rëndohet gjithnjë e më shumë. Krizat energjetike kanë shkaktuar gjithmonë pasoja të rënda te rritja ekonomike e vendit. Në vitin 2002, rritja e PBB-së qe vetëm 2.9% në një kohë që programi i qeverisë qe 7%. Një situatë e tillë besohet se është përsëritur edhe në vitin e kaluar, por rezultatet përfundimtare të PBB-së në Shqipëri dalin gjithmonë pas ndryshimit të qeverive.

Plani i masave të sistemit të energjisë elektrike, miratuar nga qeveria, parashikon kufizime në masën 4%

Kufizimet e dritave në programin e qeverisë

Përgjatë të gjithë vitit 2008, parashikohet kufizime mesatare jo më pak se një orë në ditë për të gjithë vendin

Qeveria shqiptare ka programuar zyrtarisht një kufizim në furnizimin e popullatës me energji, pavarësisht deklaratave të bollshme politike dhe garancive të përsëritura për furnizim pa ndërprerje. Plani i Tetë i Masave, një dokument që synon menaxhimin e situatës energjetike, ka planifikuar për këtë vit, kufizime në masën 250 GW/h, shifër që përbën 4% të konsumit mesatar vjetor. Kjo do të thotë se përgjatë të gjithë vitit 2008, në të gjithë vendin, do të ketë kufizime të furnizimit me energji me minimalisht një orë në ditë.

Kufizimet

Me shtimin e vapës, në të gjithë vendin u shënua një valë kufizimesh në furnizimin me energji, ku veçanërisht zonat suburbane të qyteteve kryesore rezultuan më të penalizuarat. Zyrtarë të ndryshëm të nivelit menaxherial deklaruan se kufizimet janë “përgjithësisht” pasojë e defekteve dhe remonteve në rrjet, ndërsa deklaruan se remontet do të vijojnë deri në dimër. Në rangun politik, qeveria përsëriti edhe një herë se vendi do të furnizohet me drita 24 orë, një objektiv ky që konsiderohet teknikisht i pamundur nga ekspertët e fushës.

Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria miratoi një dokument që lidhet me menaxhimin e KESH dhe ministri i Ekonomisë z. Genc Ruli, në relacionin shoqërues bën të ditur se këtë vit ka kufizime të programuara në masën 250 GËH. Këto ditë Shqipëria konsumon 16.3 milionë kilovatorë në ditë. Kjo shifër është e barabartë me konsumin mesatar vjetor të vitit të kaluar.

Pse ka kufizime

Rasti i kufizimeve në furnizim në Shqipëri shpjegohet nga ekspertët e fushës si një lojë e thjeshtë variablash të panjohura. Vendi prodhon energji elektrike me burime ujore dhe KESH nuk është në gjendje të dijë sasinë e prodhimit vjetor për shkak se nuk është në gjendje të parashikojë nivelin e prurjeve në Drin. Mungesa e fleksibilitetit në importin e energjisë, shkaktuar nga mungesa e linjave dhe procedurat burokratike të tenderimit, bën të pamundur që të menaxhohet me efikasitet edhe importi. Energjia elektrike është një mall që konsumohet në më pak se 1 sekondë pas çastit të prodhimit. Sistemi aktual i ndalimit të eksporteve dhe mungesa e fleksibilitetit në importe, i sjell vendit prodhim më të ulët në hidrocentrale dhe humbje më të mëdha nga sasia e energjisë së importuar.

Skepticizëm

Teorikisht, nëse KESH do të funksiononte si kompani private dhe procedurat e tenderimeve nuk do të ekzistonin, Shqipëria mund të prodhojë 60% më shumë energji elektrike sesa prodhon aktualisht, mund ta eksportojë këtë energji me çmime shumë të larta në Greqi, ku çmimi në bursë arrin edhe në 110 euro për MWH si dhe do të menaxhonte më me efikasitet importet, duke ulur humbjet e panevojshme e duke gjetur energji më të lirë. Praktikisht, dyshimet se zyrtarët mund të vjedhin, bën që qeveria të mos e ketë në axhendë lehtësimin e procedurave ligjore në menaxhimin e KESH. Faktori kryesor i ekzistencës së krizës në furnizim, konsiderohet pikërisht mungesa e elasticitetit ligjor në menaxhimin e korporatës.

Plani fillestar i Korporatës parashikonte fitime në nivelin 1 miliardë lekë, përmes rritjes së çmimeve

KESH dorëzohet, edhe këtë vit me humbje të mëdha

Sipas programit të miratuar nga qeveria, KESH do të realizojë 4 miliardë lekë humbje në 2008-07-06

“Tepër optimist” dhe “tepër ambicioz”. Këto janë dy togfjalëshat karakterizues të planit të KESH për vitin 2008. Korporata beson se mund të ulë ndjeshëm humbjet e energjisë në rrjet si dhe mund të ulë me dy të tretat humbjet financiare. KESH planifikon të rrisë të ardhurat me 9 miliardë lekë si pasojë e rritjes së çmimit dhe uljes së vjedhjeve. Vetë KESH i konsideron objektivat si “ambicioze”. Parashikohet që kufizimet të jenë zero për vitin 2009 e në vijim, objektiv ky gjithashtu i konsideruar si jorealist.

Humbjet financiare

KESH përjetoi vitin më të keq në histori më 2007, kur pati shpenzime prej 39 miliardë lekësh dhe të ardhura prej 27 miliardë lekësh. Për të mbuluar shpenzimet, korporata iu drejtua bankave ku tërhoqi kredi të shtrenjta, ndërsa buxheti i shtetit mbuloi një sasi të konsiderueshme të shpenzimeve. Vetëm interesat për kreditë e marra vitin e kaluar, do t’i kushtojnë korporatës 1.2 miliardë lekë këtë vit. Ministria e Financave, ankohet se KESH ka detyrime të konsiderueshme fiskale ndaj tatim-taksave, të cilat nuk është në gjendje t’i shlyejë.

Për këtë vit, falë rritjes së çmimit të energjisë me 11%, pritet të humbjet të jenë më të vogla. Megjithatë, parashikimi i qeverisë nuk përputhet fare me parashikimin e FMN-së. Objektivi i planit është që humbjet këtë vit të arrijnë në 4 miliardë lekë, por FMN paralajmëroi disa muaj më parë se pa rritje të mëtejshme çmimi, KESH do të shkaktojë “humbje fiskale” prej 135 milionë eurosh, shifër kjo e papërballueshme.

Paratë e taksapaguesve

Qeveria shqiptare përdori 8 miliardë lekë nga paratë e taksapaguesve gjatë vitit të kaluar për të financuar importet e KESH përmes shlyerjes së faturave të energjisë të institucioneve publike si dhe përmes kredive të drejtpërdrejta. Përveç këtyre, KESH mori kredi nga bankat private prej 7.9 miliardë lekësh. KESH ka edhe borxhe për të marrë. Në fund të vitit 2007, borxhet e akumuluara nga mosshlyerja e faturave nga konsumatorët familjarë arritën në 44 miliardë lekë. Nga eksperienca e viteve të shkuara, është e qartë se shanset për të mbledhur këto borxhe janë minimale. Vetëm gjatë vitit të kaluar, borxhet u shtuan me 3 miliardë lekë.

Kostoja e importit në kulm

Problemi kryesor i financave të KESH është lumi i parave që shkon për importin e energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar, 200 milionë euro u larguan nga Shqipëria për këtë shkak, gjë që solli dobësim të lekut kundrejt euros dhe thellim të deficiteve tregtare të vendit. Kostoja e importit u rrit me 47% gjatë vitit të kaluar dhe pësoi edhe një rritje të mëtejshme prej 16.5% këtë vit, duke arritur kulmin në 10.22 lekë për KWH. Çmimi i dritave në rajonin e Ballkanit varet shumë nga kapaciteti i linjave të transmetimit dhe transparenca e vendeve të ndryshme në lejimin e përdorimit të këtyre linjave. I gjithë rajoni është deficitar dhe një pjesë e konsiderueshme e energjisë duhet të importohet nga Europa Qendrore si dhe Gjermania. Vende të ndryshme të Ballkanit si Bullgaria, kanë vendosur ndërkohë sistem kufizimesh tregtare në eksportin e energjisë elektrike për shkak se kanë çmim më të ulët në tregun e brendshëm dhe synojnë të plotësojnë tërësisht konsumin e vet para se të eksportojnë sasinë e mbetur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›