Klejdi: Gratë italiane duan të të komandojnë, preferoj gratë lindore
Kledi Kadiu nuk ka nevojë për tu prezantuar në Itali. Është idhulli i të gjithë adoleshentëve, por është i njohur përgjithësisht nga të gjithë, pavarsisht moshës që kanë.
Për Klejdin puna është pasion, para se të jetë zanat. “Dancimi është disiplinë - u thotë të huajve - të ndihmon të përballosh vështirësitë dhe të formosh karakterin. Është një mënyrë të menduari, të menduari ndryshe”.
Formimin e tij Kledi e ka marrë në Shkollën e Baletit në Shqipëri dhe eksperiencën në trupën e kërcimit në Operën e Tiranës. Jeton në Itali që prej 15 vjetësh. Këtu ka gjetur suksesin televiziv si balerini kryesor në programe të njohura në Mediaset. Nuk ka se si ti mungonte dhe eksperienca e aktorit në film. Me plot gojë mund të përkufizohet si një artist i kompletuar.
Ndihesh shqiptar, italian, apo të dyja bashkë në të njëjtën kohë?
Kam ende pashaportën shqiptare dhe para së gjithash ndihem shqiptar. Por pas shumë vitesh të kaluara këtu në Itali, shumë karakteristika të italianëve janë dhe pjesë e imja. Tashmë kam mentalitet italian dhe në Itali ndihem si në shtëpinë time.
Ke ardhur këtu 15 vjet më parë, i pajisur me një formim të mirë dhe një bagazh të mirë në eksperiencën e vallëzimit. Të vazhdoje profesionin tënd këtu, ka qenë e thjeshtë dhe e menjëhershme apo jo?
Tek ne, shteti i trajtonte me prioritet njerëzit që dëshironin të merreshin me sport, ose me art. Disiplina të ndryshme mund ti mësoje shumë mirë dhe falas. Në shkëmbim duhet të bëje maksimumin dhe të jepje më të mirën nga vetja, kudo që shkoje. Sapo erdha këtu, fillova të vallëzoj dhe nuk hasa pengesa të veçanta, pikërisht falë formimit të mirë që kisha mbi shpatulla.
Përgatitja e marrë në Shqipëri ishte ajo që ju bëri të dukeshit ndryshe? Të ka dhënë avantazh kundër kolegëve të tu italianë?
Nuk mund të mohoj faktin se e nisja “garën” në avantazh. Balerinët nuk ishin shumë, por nga ata unë isha më i zoti. Në studion e dancit këtu ka tendenca që gjërat të lihen disi pas dore. Kolegët e mi bënin ushtrime një herë, apo dy herë në javë, ndërsa unë bëja çdo ditë dhe me kohë të plotë.
Duke kthyer kokën mbrapa, ka qenë e vështirë t`ia dilje mbanë në Itali- profesionalisht dhe në planin personal?
Asgjë nuk është e vështirë. Gjithnjë kam bërë atë që ndieja se duhet të bëja dhe kam ecur përpara në rrugën time duke u përballur me situata, të cilat më prezantonin në të vërtetë se kush isha. Sigurisht që kam qenë dhe me fat, por gjërat vijnë vetë, nuk do të përdorja fjalën “t´ia dal mbanë”.
Sot çfarë është Shqipëria dhe çfarë është Italia për ty?
Shqipëria është atdheu im. Në Itali kam gjetur stabilitet si nga ana e punës, ashtu dhe në jetën private. Më vjen keq vetëm që shoh ndryshime në sjelljen e italianëve kundrejt të huajve. Më parë kishte më shumë komunikim, italianët ishin të interesuar të njihnin kultura të ndryshme, ishin kurjozë dhe të gatshëm për ti njohur.
Ndërsa sot, duhet të matesh mirë kur thua “jam rumun”, “jam shqiptar” pasi krijohet menjëherë një atmosferë indiferente dhe diferencë. Italiani ruan distancën. Sigurshit që kjo nuk më ndodh mua, por nuk më ka kaluar pa u vënë re.
Kur flitet për të huajt, apo për shqiptarët në veçanti, me terma përçmuese, çfarë efekti të jep?
Çfarë duhet të bëj.. Qesh. Nga ana tjetër, çdo popull ka historinë e tij, identitetin e tij, ka të mira dhe të këqija kudo. Jo çdo grumbull bari mund ta bësh deng. Një njeri nuk duhet paragjykuar ekskluzivisht prej kombësisë së tij. Në bazë të gjithçkaje duhet të ketë respekt.
.
E sheh si të nevojshëm alarmin e sigurisë që kohët e fundit po krijon pengesa në lidhje me shumë emigrantë?
Ka një pakqënaqësi të përgjithshme, ka krizë ekonomike. Gjithandej ndodh që një italian të mendojë: “ja ky kushedi se nga ka ardhur dhe më ka vjedhur vendin e punës”, etj. Këto arsyetime nuk duhet të ekzistojnë. Gjerat duhet të përballohen me qytetari, e cila mendoj është karakteristikë e këtij vendi.
Dëgjojmë shpesh “Klandestini është një autor krimi..” (pikërisht sepse ka shkelur ligjin duke hyrë në një vend klandestin). Si do i konsideroje ata që kërkojnë të quhet kriminel një i tillë?
Nuk besoj se një emigrant i parregullt që jeton në Itali, vetëm për këtë fakt duhet të konsiderohet kriminel. Por shpesh më ndodh të dëgjoj një arsyetim të tillë idiot. Dhe klandestinët janë mbi të gjitha njerëz dhe duhet të konsiderohen të tillë para se të dënohen. Nuk e mbështes ekuacionin klandestin = kriminel. Çdo njeri është i ndryshëm, ka një histori ndryshe mbi shpatulla, e cila duhet marrë parasysh.
Po ti ke qenë klandestin?
Kam hyrë në mënyrë të parregullt në Itali herën e parë, por pas disa ditësh jam kthyer në Shqipëri. Më pas jam rikthyer në Itali me një vizë studimi, por nisa të punoj dhe brenda një kohe të shkurtër e rregullova situatën time. Nuk kam pasur probleme me lejën e qëndrimit.
Çfarë të mungon nga vendi yt i origjinës. Ka diçka të cilën do ta sillje këtu?
Disa gjëra nuk mund të transportohen.. Traditat, psh, janë pjesë e vendit dhe të njerzve të cilëve u përkasin. Pra do ti lija gjërat ku janë, në vendin e tyre. Kam me vete gjithnjë kujtimet. Përsa u përket prindërve të mi, vijnë shpesh në Itali, sa herë të duan...
Miqtë e vërtetë janë shqiptare apo italianë?
Më shumë janë shqiptarë. Jam me fat që kam shumë.
Janë më të mira femrat shqiptare apo italiane?
Kanë karaktere dhe temperament komplet të ndryshëm. Gratë italiane kanë shumë teka. Dhe sapo mendojnë se të kanë në dorë, fillojnë të të komandojnë.
Gratë shqiptare kanë më shumë respekt në lidhje me burrin e tyre, dhe mund të vendosësh një raport më të ekulibruar. Nëse më duhet të zgjedh preferoj gratë lindore.
Shumë të shikojnë me admirim dhe ndoshta dhe me zili. Çfarë këshille do tu jepje atyre që duan të realizojnë ëndrrat e tyre?
Çdokush duhet të kërkojë të bëjë në jetë atë që i pëlqen më shumë. Suksesin mund ta kenë shumë pak, për shkak të rrethanave të veçanta, rrethanave të fatit. Por objektivi duhet të jetë: të bësh atë që të pëlqen më shumë: është ky suksesi i vërtetë.
Intervistoi Antonia Ilinova, përshtati Elona Demollari