Dropull, ndërhyrja e zjarrfikësve shpëton shtëpitë, shiu zbut furinë e zjarreve

Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve pasditen e sotme (23 korrik) në Dropull ka shpëtuar jetën e banorëve dhe shtëpitë.
Në fshatin Haskovë flakët u afruan vetëm disa metra larg banesave por ndërhyrja e zjarrfikësve dhe banorëve i shpëtoi nga djegia shtëpitë e fshatit.
Zjarrfikësit, forcat e ushtrisë dhe banorët neutralizon vatrën e zjarrit që ishte shumë pranë me banesat edhe në disa fshatra të tjerë të Dropullit.
Ndërkohë reshjet e shiut të cilat përfshinë pasditen e sotme zonën e Gjirokastrës kanë ulur furinë e zjarreve të verës në Dropull. Flakët që u ripërtërinë në kullotat malore përgjatë ditës së sotme ishin aktive pranë fshatrave Dhuvjan, Vanistër, Goranxi dhe Derviçan.
Zjarri nisi prej pasdites së djeshme dhe u përhap me shpejtësi i ndihmuar nga era dhe terreni i thatë. Gjatë orëve të pasdites tymi dhe bloza të përhapur nga era për minuta të tëra mbuluan dhe qytetin e Gjirokastrës.
Në terren ndodhen strukturat e emergjencës që kanë kërkuar mbështetje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dropull.
/rtsh.al/