E Enjte, 5 Nëntor 2026

Duka: Fermerët të subvencionohen për primet për sigurimin e produkteve bujqësore

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese miratoi nen për ne projektbuxhetin për vitin 2025, i cili në parim u miratua të martën në Kuvend, ndërsa pritet që të kalojë në seancë plenare për miratim nen për nen, më 3 dhjetor.

Deputetë të komisionit paraqitën disa propozime për ndryshime, të cilat do t’i kalojnë për miratim Komisionit të Ekonomisë dhe Financave si komision përgjegjës.

Relatori i projektbuxhetit, Laert Duraj kërkoi rialokim të fondeve të transfertës së pakushtëzuar drejt bashkive Elbasan dhe Gjirokastër në zërin “menaxhim i mbetjeve”, pasi sipas tij, këto dy qytete po përballen me numër të lartë turistësh në vitet e fundit.

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi kërkoi që fondi prej 1.3 miliard lekësh i planifikuar për kontratat koncesionare të cilat, sipas tij, prej vitesh financohen nga buxheti i shtetit dhe kanë rezultuar me shkelje ligjore dhe një pjesë e tyre janë edhe në hetim nga SPAK, të pezullohen dhe të shkojnë për mbështetjen e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

“Është fakt që inceneratori i Tiranës nuk ekziston. Me qëllim ndalimin e shpërdorimit dhe vjedhjes së parave publike propozoj të pezullohen pagesat buxhetore për këtë kontratë koncesionare. Fondi i planifikuar për 2025 prej 1.3 miliard lekë të kalojë për të rritur ndihmën ekonomike të 62 mijë familjeve shqiptare që trajtohen nga skema sociale e ndihmës ekonomike”, tha ai.

Ndërsa kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka kërkoi shtim të fondeve të subvencioneve direkte në bujqësi, duke e rritur shumën nga 44 milionë lekë në 100 milionë lekë. Po ashtu, ai kërkoi mbështetjen e fermerëve për të siguruar produktet e fermave.

“Fermerët duhet të subvencionohen për primet”, tha ai.

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, foto: Florian Abazaj 1 nga 2

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›