E Premte, 6 Nëntor 2026

Sejko: Politikat monetare siguruan normë të ulët inflacioni dhe rritje ekonomike

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare gjatë viteve 2022-2023, si dhe reagimi fleksibël e konsistent i saj ndaj ecurisë së inflacionit gjatë vitit aktual, i kanë mundësuar Shqipërisë të ketë, njëkohësisht, një ndër normat më të ulëta të inflacionit, një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike, si dhe një ambient financiar stimulues dhe një rritje të shpejtë të kreditimit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Financave Petrit Malaj dhe Shefen e FMN-së, Anke Weber, në përmbyllje të misionit të radhës mbikëqyrës të FMN-së, në kuadër të Artikullit IV, tha se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat, kanë shënuar një rritje të shpejtë gjatë gjysmës së parë të vitit.

“Inflacioni ka ardhur në rënie, duke qëndruar pranë nivelit 2% gjatë dy tremujorëve të fundit. Pas niveleve relativisht të larta të shënuara gjatë dy viteve paraardhëse, ky tregues, i cili përbën edhe objektivin primar të punës sonë, qëndron në nivele të ulëta, nën kontroll dhe pranë, ndonëse poshtë objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, deklaroi ai.

Sejko theksoi se projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Sipas tij, Banka e Shqipërisë pret një rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm e afatgjatë.

“Rritja ekonomike pritet të rezultojë në intervalin 3.5 – 4% gjatë vitit aktual dhe të qëndrojë në linjë me potencialin gjatë viteve të ardhshme. Paralelisht me të, inflacioni pritet të mbetet i ulët dhe nën kontroll, duke u kthyer pranë objektivit tonë prej 3% gjatë vitit 2025”, deklaroi ai.

Bazuar në këto projeksione, Sejko shtoi se BSH gjykon se politikat ekonomike duhet të vijojnë të orientohen drejt forcimit të mëtejshëm të stabilitetit ekonomik.

“Vijimi i procesit të konsolidimit fiskal gjatë viteve të ardhshme, na mundëson të ndjekim një politikë monetare fleksibël dhe të orientuar drejt stabilitetit të çmimeve”, tha ai.

Megjithatë, sipas Sejkos, sfidat me të cilat përballet zhvillimi i vendit në të ardhmen nuk janë të pakta.

“Nga njëra anë, zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë i vendit kërkon një fokus më të madh në rritjen e produktivitetit, nëpërmjet rritjes së inovacionit, eficiencës dhe konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, si dhe në zgjerimin dhe diversifikimin e mëtejshëm të bazës sektoriale të rritjes. Nga ana tjetër, tensionet gjeopolitike, problemet demografike, ndryshimi klimatik, si dhe inovacioni financiar, e ekspozojnë vendin ndaj sfidave afatgjata dhe goditjeve potenciale në të ardhmen. Kjo kërkon ruajtjen e fokusit në garantimin e stabilitetit makroekonomik, si dhe vijimin e punës për përmirësimin e shëndetit monetar, financiar e fiskal të ekonomisë”, deklaroi Guvernatori.

Sipas Sejkos, reformat e gjithanshme rregullatore, ligjore e institucionale të ndërmarra në kuadrin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një platformë të plotë dhe konsistente për adresimin e sfidave.

Ai siguroi se politika monetare do të vijojë të mbetet e fokusuar ekskluzivisht në stabilitetin e çmimeve. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›