Duka pret në takim delegacionin e "Lega Nazionale Dilettanti" në Shtëpinë e Futbollit - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti këtë të mërkurë në një takim në ambientet e Shtëpisë së Futbollit një delegacion të Lega Nazionale Dilettanti (LND), i kryesuar nga Christian Mossino, Zëvendëspresident i Parë i kësaj organizate.
Delegacioni zhvilloi fillimisht një vizitë në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ku u njoh nga afër me infrastrukturën dhe kushtet që ofron selia e FSHF-së, përfshirë edhe Klinikën e Kombëtares.
Më pas, delegacioni zhvilloi një takim me Presidentin Armand Duka, ku u diskutua mbi zhvillimet në futboll dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për zhvillimin dhe promovimin e këtij sporti. Gjithashtu, në takim mori pjesë edhe trajneri i Kombëtares, Rolando Maran.
Në përbërje të delegacionit ishin Christian Mossino, Zëvendëspresident i Parë i Lega Nazionale Dilettanti, dhe Mauro Foschia, President i Komitetit Rajonal Piemonte Valle d’Aosta.
Takimi u mbyll me shkëmbimin e dhuratave simbolike dhe një fotografi të përbashkët në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.
/e.i/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
