Shpërthim në një pallat në Elbasan, humb jetën 82-vjeçarja dhe dhjetë të lënduar - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Një 83-vjeçar ndërroi jetë si pasojë e një shpërthimi që ndodhi ditën e sotme në një pallat në qytetin e Elbasanit, ndërsa tetë persona të tjerë mbetën të plagosur. I moshuari banonte në apartamentin ngjitur me atë ku ndodhi shpërthimi.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë, duke shembur muret e apartamentit dhe një pjesë të shkallëve të pallatit. Menjëherë pas ngjarjes, strukturat e emergjencës nisën evakuimin e banorëve.
Policia e Elbasanit në njoftimin paraprak për ngjarjen sqaroi se zjarri ka rënë rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”.
Si pasojë, ka humbur jetën, banorja në të njëjtin pallat, shtetasja H. B., 82 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 10 banorë të tjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se sipas të dhënave paraprake, 8 persona, mes tyre një fëmijë, po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan.
“Fatkeqësisht, nga ngjarja ka humbur jetën një 83-vjeçar, i cili është gjetur i pajetë në vendngjarje. Ekipet e urgjencës mjekësore janë në gatishmëri të plotë, ndërsa Spitali Rajonal Elbasan ka mobilizuar kapacitetet e nevojshme për trajtimin dhe monitorimin e gjendjes shëndetësore të personave të lënduar”, njoftoi MSHMS.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim me strukturat përkatëse bëri të ditur se po ndjek nga afër situatën për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit të nevojshëm shëndetësor.
Gjithashtu sipas MSHMS-së, informacioni mbi gjendjen shëndetësore të pacientëve do të përditësohet në vijim, bazuar në vlerësimet e ekipeve mjekësore.
Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, policia dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit në apartamentin ku ndodhi shpërthimi.
Godina u evakuua e gjitha, ndërsa operacionet e emergjencës vijuan për menaxhimin e situatës dhe verifikimin e pasojave. Ndërkohë, priten detaje të tjera lidhur me rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit tragjik.
/m.q/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
