Dumani: Taskforca e 11 majit nuk ka dështuar, regjistruam 44 procedime penale

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani u shpreh se taskforca e ngritur nga SPAK për zgjedhjet e 11 majit, nuk ka dështuar, por ka vend për përmirësim.
Gjatë raportimit të aktivitetit vjetor të SPAK për 2024-ën në Komisionin e Ligjeve, Dumani iu përgjigj pyetjes së ngritur nga deputeti i opozitës, Oerd Bylykbashi lidhur me fenomenin e shitblerjes së votës dhe mosfunksionimin sipas Bylykbashit të taskforcës gjatë zgjedhjeve të 2025.
“Ngritëm taskforcë për hetimin e krimit zgjedhor në të gjithë Shqipërinë. Kjo nuk ka dështuar, por ka vend për përmirësim. Ne kemi marrë seriozisht çdo kallëzim nga partitë apo qytetarët. Janë regjistruar procedimet penale nga ana ligjore”, tha Dumani.
“Nga 194 materiale të administruara, ka rezultuar se subjektet politike kanë depozituar 56 materiale kallëzuese, Policia e Shtetit 35, shërbimi i brendshëm i burgjeve 1 material, ndërsa kallëzime nga shtetasit rreth 80 materiale. 10 raste janë regjistruar nga Prokuroria e Posaçme. Ne kemi vlerësuar të gjitha referimet e ardhura nga qytetarë dhe institucionet, ndërsa janë regjistruar 44 procedime penale dhe nën hetim janë 38 procedime”, vijoi ai.
Kreu i SPAK tha se këto nuk janë shifra që përmbushin pritshmëritë e institucionit që ai drejton, por nga ana e SPAK, sipas Dumanit, janë bërë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Aktualisht kemi një kryetar bashkie të pandehur për korrupsion aktiv. Kemi edhe një tjetër për korrupsion gjatë zgjedhjeve 2025. Kemi arrestuar edhe disa persona. Ka vend për të bërë më tepër. SPAK ka vetëm 20 prokurorë, s’jemi Policia e Shtetit, kemi detyrim ligjor të ushtrojmë ndjekjen penale”, pohoi Dumani.
“Kemi arrestuar disa persona për zgjedhjet 2025. Disa janë për hetim dhe gjykim. Janë dhe procedime penale që shpresojmë të kemi rezultat konkret. Kemi detyrim të ushtrojmë ndjekje penale”, vijoi ai.
Dumani u shpreh se janë dërguar hetues dhe prokurorë në kohë reale, edhe në mes të natës pasi janë marrë sinjalizime për shitblerje votash.
“Rezultati është që kur bëni denoncim dhe ne sa bëjmë një punë për hetim, ju thoni po blihen vota, kërkon organizim ajo punë. Sa organizojmë punën, shikojmë në media me titra që në filan vend po blihen vota. Kapacitetet këto janë. Kemi pasur një problematikë tek denoncimi te faqja që hapëm, me sugjerimin e një deputeti opozitar ndryshuam faqen se kërkonim kartën e identiteti në rastin e denoncimit. Që ka punuar faqja gjatë kohës e kam me grafikë, me klikime, e vetmja gjë që nuk ka funksionuar pas orës 19:00 të datës 11 maj ka qenë telefoni i gjelbër, se e kishim në kontratë”, tha Dumani.
/e.i/j.p/