Dumani: SPAK institucion i maturuar, prokurorët e posaçëm të kenë mundësinë e rikandidimit

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ Altin Dumani, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar, u shpreh se nuk do të rikandidojë në postin e kreut të SPAK, me përfundimin e mandatit 9-vjeçar.
Dumani u shpreh gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës së SPAK gjatë 2024-ës, se prokurorët duhet ta kenë mundësinë e rikandidimit pas mandatit 9-vjeçar.
“Në përfundim të mandatit tim nuk do rikandidoj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa t’i zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë në një vit. E dyta është tjetra, këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment të bukur ti i thua mandati yt mbaroi, s’ke më punë me çështjen, pengohen hetimet në këtë drejtim. Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për t’u rritur profesionalisht për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar dhe megjithëse është bërë gjithë ky investim, i thuhet prokurorit të posaçëm, pa paragjykuar prokurorët e përgjithshëm”, tha Dumani.
“Nuk kemi luksin që një prokuror i specializuar për hetimin e një kategorie të veçantë krimesh ta çojmë në një prokurori të përgjithshme, dhe nga një krim i sofistikuar të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor”, vijoi ai.
Nga ana e tij, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri e pyeti Dumanin, nëse SPAK do të vazhdojë të jetë permanent në goditjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo do të ketë fatin e dinosaurit.
Kreu i SPAK vlerësoi arritjet e institucionit që ai drejton, duke e konsideruar si një institucion të maturuar dhe me perspektivë të mirë.
“Ajo që SPAK ka arritur, ato rezultate modeste, janë produkt i punës së prokurorëve të posaçëm, të hetuesve të BKH dhe hetuesve financiarë që i kanë dedikuar këtij profesioni jetën e tyre, kam pasur fatin si drejtues të punoj me kolegët prokurorë. Unë jam thjesht dhe vetëm drejtues. Realisht kontributorët realë janë prokurorët”, tha ai.
“Perspektivën e SPAK e shoh të mirë, institucioni është maturuar, nga pikëpamja profesionale vlerësoj se është në gjendje të ecë para. E vetmja gjë është momenti kur 11 prokurorë ikin njëherësh. Duhet të mendoni si ligjvënës me këtë moment”, theksoi Dumani.
Dumani foli edhe për vështirësitë gjatë punës në vitin 2024, duke veçuar se SPAK përballet me presione mediatike, politike, por edhe nga krimi i organizuar.
“Doja të veçoja presionin e jashtëm nga aktorë politikë, mediatikë, dhe krimi i organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve, duke kërkuar një reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese”, theksoi Dumani.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit demokrat Klevis Balliu, Dumani pohoi se prokurorët kanë rënë pre e kërcënimit nga organizatat kriminale.
“Kërcënime serioze jo sa për të thënë. Megjithatë prokurorët e kanë përballuar dhe janë përballur me ta duke ndërtuar ngritje penale të suksesshme”, tha drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve pyetën Dumanin për të ashtuquajturën çështje “Aruba”. I pyetur nga deputetja e PD, Elda Hoti nëse SPAK ka nisur hetim mbi këtë çështje, Dumani iu përgjigj se nuk njeh asnjë çështje me emrin Aruba.
“Nuk njoh çështje me emrin Aruba, s’kam asgjë për të ndarë me Kuvendin dhe opinionin publik”, tha kreu i SPAK.
/e.i/j.p/