Durana Tech Park, partneritet strategjik me Plug and Play

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Durana Tech Park ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik me Plug and Play, një nga akseleratorët më të mëdhenj dhe më të suksesshëm në botë në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe investimeve në startup-e. Kjo marrëveshje shënon një moment historik për ekosistemin shqiptar të inovacionit dhe sipërmarrjes, duke vendosur themelet për një lidhje të drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe qendrave më të zhvilluara të teknologjisë në nivel global.
Përmes këtij partneriteti, Plug and Play do të sjellë në Shqipëri ekspertizën ndërkombëtare, praktikat më të mira të akselerimit të startup-eve, si dhe rrjetin e saj global që përfshin mbi 500 korporata partnere dhe mijëra startup-e nga e gjithë bota.
Kjo do të krijojë mundësi të reja për sipërmarrësit dhe inovatorët shqiptarë, të cilët do të kenë akses në programe trajnimi, mentorimi dhe investimi, duke e bërë më të lehtë zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e ideve të tyre.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Durana Tech Park pozicionohet si një qendër rajonale për teknologjinë, inovacionin dhe investimet, ku talentet lokale do të mund të lidhen drejtpërdrejt me rrjetet globale të kapitalit, eksperiencës dhe partneriteteve strategjike.
“Ky partneritet është më shumë se një bashkëpunim është një sinjal i qartë se Shqipëria po hyn në hartën e inovacionit ndërkombëtar. Plug and Play sjell një përvojë unike që do të ndihmojë në ngritjen e një gjenerate të re startup-esh dhe profesionistësh shqiptarë të teknologjisë,” u shpreh përfaqësuesi i Durana Tech Park.
Sipas njoftimit të Durana Park, përfitimet kryesore të këtij partneriteti përfshijnë mundësi për startup-et shqiptare për të marrë pjesë në programe akselerimi ndërkombëtare, trajnime dhe mentorime nga ekspertë globalë të Plug and Play, qasje në investitorë dhe fonde ndërkombëtare për zhvillimin e projekteve inovative, bashkëpunime me kompani lider në sektorë si AI, energji, shëndetësi, mobilitet dhe teknologji financiare dhe promovim të Shqipërisë si destinacion i ri për investime teknologjike në Ballkan.
Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Durana Tech Park, por për gjithë ekosistemin shqiptar të inovacionit, që tashmë po ndërtohet mbi baza konkrete bashkëpunimi ndërkombëtar dhe vizioni afatgjatë për zhvillim.
Nga nënshkrimi i kontratës mes Durana Tech Park me Plug and Play 1 nga 3/e.i/j.p/