E Martë, 3 Nëntor 2026

Durrës – Bulevardi “Epidamn” kthehet në pedonale gjatë sezonit veror

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, bashkia e Durrësit ka njoftuar një ndryshim të përkohshëm në qarkullimin rrugor në një nga arteriet kryesore të qytetit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, bashkia e Durrësit, bëri me dije se bulevardi “Epidamn” do të shndërrohet në një zonë pedonale çdo mbrëmje, duke filluar nga data 1 korrik deri më 31 gusht 2025, në orarin 18:00 – 23:00.

Ky vendim synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë që zgjedhin Durrësin për të kaluar pushimet verore.

Sipas njoftimit zyrtar, “ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin Epidamn (në segmentin rrugor nga prefektura deri tek Torra Veneciane), nga data 01.07.2025 deri më 31.08.2025, prej orës 18:00 – 23:00.”

Bashkia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, ndërsa fton qytetarët dhe turistët që të shfrytëzojnë këtë hapësirë publike për shëtitje më këmbë dhe aktivitete kulturore gjatë mbrëmjeve verore në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›