E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, sekuestrohet rreth 80 kg kanabis e llojit “Gelato” me vlerë tregu 1 milion euro

TIRANË, 22 gusht /ATSH/ Policia e Durrësit goditi një rast të trafikimit të lëndës narkotike kanabis nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Policia bëri me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor” u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC.

Gjithashtu, sipas policisë u sekuestruan 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 000 euro cash.

Policia informoi më tej se vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro.

“Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario, Kanada, dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada”, njoftoi policia.

Sipas policisë, po nga hetimet dyshohet se, pas mbërritjes në Durrës, lënda narkotike shpërndahej më tej në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në vijim të operacionit, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 3 shtetasve: T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të tre shtetas kosovarë. Këta shtetas u arrestuan si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, u shpallën në kërkim shtetasit H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se personat e përfshirë kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës.

Operacioni “Anchor” është rezultat i një hetimi të zhvilluar në vijimësi dhe i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave policore, autoriteteve doganore dhe organit të Prokurorisë.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›