Durrësi ngrihet në protestë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë

DURRËS – Protestat kundër projektit në Zvërnec dhe kundër qeverisë janë shtrirë edhe në Durrës, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sërish në shesh dhe kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit bregdetar.
Dhjetëra protestues u panë me pankarta dhe flamuj në duar, ndërsa artikuluan thirrje kundër qeverisë dhe kërkuan ndryshime politike.
Tubimi në Durrës vjen në vazhdën e protestave që prej disa ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku qytetarët kundërshtojnë projektin e planifikuar në Zvërnec dhe një sërë ndryshimesh ligjore që, sipas tyre, prekin interesin publik.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa paralajmëruan vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
Protestat kanë vijuar për disa ditë radhazi në Tiranë, ndërsa lëvizja kundër projektit në Zvërnec po shtrihet gradualisht edhe në qytete të tjera të vendit.