E Premte, 6 Nëntor 2026

Dy aksidente me mbi 100 viktima në Spanjë, EPPO heton dyshimet për abuzim me 111 milionë eurot e BE-së për hekurudhën

Prokuroria Publike Europiane (EPPO) ka nisur një hetim për dyshime mbi mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian, të akorduara për rinovimin dhe përmirësimin e linjës hekurudhore të shpejtësisë së lartë Madrid-Sevilje në Spanjë.

treni spanje

Në këtë linjë, një aksident i ndodhur më 28 tetor pranë Urda-s, në provincën e Toledos, u mori jetën 69 personave.

Hetimi vjen pas një tjetër procedure të ngjashme të nisur në muajin mars, lidhur me rinovimin e së njëjtës linjë hekurudhore, pas aksidentit të janarit, ku humbën jetën 46 persona.

Sipas një deklarate të Prokurorisë Europiane, hetimi i ri është hapur me iniciativën e vetë institucionit dhe përfshin Administratën e Infrastrukturës Hekurudhore, Agjencinë Shtetërore të Sigurisë Hekurudhore dhe Gjykatën e Llogarive. Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë nisur mbledhjen e provave.

“Ky veprim vjen pas hapjes së një hetimi për mashtrim të mundshëm me fondet europiane, të destinuara për rinovimin dhe përmirësimin e sistemeve të sigurisë, sinjalizimit dhe komunikimit në linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë Madrid-Sevilje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Europiane.

EPPO është një institucion i pavarur i Bashkimit Europian, përgjegjës për hetimin e mashtrimeve që përfshijnë fondet europiane. Në vitin 2024, BE-ja akordoi 111 milionë euro nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal për rinovimin e kësaj linje hekurudhore.

Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, dha dorëheqjen pas dy aksidenteve, të cilat shkaktuan gjithsej më shumë se 100 viktima.

Aksidenti i fundit mund të ndikojë gjithashtu në mbështetjen për kryeministrin Pedro Sánchez, përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë, të parashikuara për 29 nëntor.

Ndërkohë, Ministria e Transportit në Spanjë njoftoi të premten hapjen e aplikimeve për dëmshpërblimin e personave të prekur nga aksidenti në Urda, ku një tren AVE i kompanisë Renfe u përplas me pjesën e pasme të një treni Iryo që ndodhej i ndaluar.

Përveç 69 viktimave, më shumë se 100 persona raportohet se kanë mbetur të plagosur. Të prekurit dhe familjarët e viktimave mund të aplikojnë për ndihmë deri më 5 shkurt 2027, përmes paraqitjes fizike ose portalit online të ministrisë.

Paketa e ndihmës përfshin grante të drejtpërdrejta, të pakthyeshme, për të përballuar nevojat e menjëhershme, si dhe pagesa paraprake në llogari të dëmshpërblimeve të ardhshme.

Qeveria spanjolle ka ngritur gjithashtu zyra mbështetëse në nivel rajonal dhe nënrajonal, për të këshilluar personat e prekur dhe për t’i ndihmuar me procedurat e nevojshme.

Personat që për shkak të gjendjes shëndetësore apo vështirësive në lëvizje nuk mund të paraqiten pranë zyrave, do të mund të marrin asistencë edhe në banesat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›