E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy aksione në Vlorë, arrestohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore! Zbulohen dy shtëpi bari

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Eldion Çela, në konferencë për shtyp pasditen e sotme ka bërë me dije rezultatet e dy aksioneve të zhvilluara nga policia.

Gjatë operacionit të parë të koduar “Danger” u bë e mundur që në lagjen “Pavarsia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.

Blutë informojnë se u arrestua shtetasi Endrit Sadedinaj, 38 vjeç,  person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.

Sadedinaj në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet. Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

Policia, në lidhje me këtë ngjarje ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin  M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.

Po gjatë ditës së sotme është finalizuar operacioni i dytë policor i koduar “Indoor”.

Në kuadër të këtij operacioni, policia zbuloi në lagjen “24 Maji”, në katin e parë të një objekti trekatësh, dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatur për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë.

Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm. Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Po gjatë operacionit, në këtë ambient u gjet dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Arjanit Lekgegaj, 24 vjeç, lindur në “Përlat”, Mirditë, dhe banues në Lezhë.

Ky shtetas dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.

Në vijim të veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi I. K., 24 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira, Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë operacionit, në vijim të kontrollit të ushtruar në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga shtetasi E. L., 35 vjeç banues në Vlorë, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, poseduesi i lëndës narkotike u arrestua në flagrancë.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›