E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy operacione në Durrës, goditen raste të trafikut të drogës dhe kontrabandës, 3 të arrestuar, 5 nën hetim

Dy operacione policore gjatë 24 orëve të fundit janë finalizuar në Durrës duke vënë në pranga 3 persona. Gjatë operacioneve u goditën raste të shitjes së lëndëve narkotike, kontrabandës së mallrave, mosdeklarimit të sendeve me vlerë dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Si rezultat i operacioneve, janë arrestuar tre persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pesë të tjerë. Gjithashtu, policia ka sekuestruar lëndë narkotike, gurë të dyshuar të çmuar, shuma parash, një automjet dhe 12 telefona celularë.

Në kuadër të operacionit të koduar “The Hill”, u arrestua shtetasi V. L., ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. R., të dy banues në Durrës. Ata dyshohen për shitje të lëndëve narkotike në doza.

Gjatë operacionit, shërbimet e policisë sekuestruan 207 doza lënde narkotike kokainë, 90 doza cannabis sativa, si dhe 10 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për veprimtarinë kriminale.

Ndërkohë, në kuadër të operacionit të koduar “Transportimi”, u arrestua shtetasi Dh. D., banues në Patos të Fierit. Gjatë kontrollit fizik në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Port Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare i gjetën katër gurë të dyshuar të çmuar, të llojit diamant, për të cilët ai nuk dispononte dokumentacion origjine apo fatura blerjeje.

Policia sekuestroi gurët e çmuar, dy telefona celularë, një shumë parash në euro dhe lekë të gjetura në automjetin e tij, si dhe vetë automjetin në cilësinë e provës materiale.

Po në këtë operacion u arrestua edhe shtetasi R. L., banues në Lezhë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, policia gjeti një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, si dhe katër pasagjerë që dyshohet se po ndihmoheshin prej tij për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Katër pasagjerët, shtetasit Xh. H., E. B., E. K. dhe L. K., janë proceduar penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet procedurale për të dy operacionet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›