IMT nis aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në Vlorë, në fokus shtesat e pallateve ekzistuese

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka nisur sot një aksion për shembjen e ndërtimeve pa leje në shtesa pallatesh në qytetin e Vlorës.
Operacioni filloi në lagjen “28 Nëntori” dhe pritet të vijojë edhe në brendësi të lagjeve të tjera.
Gazetarja e RTSH, Afrovita Hysaj, raportoi se aksioni i IMT-së në Vlorë ka nisur me shembje të menjëhershme dhe pritet të shtrihet në zona të tjera të qytetit, duke synuar ndalimin e ndërtimeve informale që kanë deformuar strukturën e pallateve.
Në fokus të aksionit janë shtesat e ndërtuara mbi pallatet ekzistuese, të cilat konsiderohen shkelje të ligjit dhe rrezik për sigurinë e banorëve.
Autoritetet kanë paralajmëruar se ndërhyrjet do të vazhdojnë deri në rikthimin e rendit dhe sigurisë urbane, duke bërë të ditur se ky operacion është pjesë e fushatës së institucioneve për të frenuar ndërtimet pa leje dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
/rtsh.al/