E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy predha të Luftës së Dytë Botërore nxirren nga Gjiri i Porto-Palermos

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Dy predha luftarake të mbetura në fund të detit në Gjirin e Porto-Palermos u nxorën sot në sipërfaqe gjatë një operacioni të specializuar të kryer nga palombarët e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit, në bashkëpunim me ekspertë të Xhenios, Forcës Detare dhe emergjencave civile, si edhe nën monitorimin e Bashkisë Himarë.

Lajmin e dha kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, i cili theksoi se, operacioni u zhvillua pranë kalatave të ankorimit të anijeve turistike në Porto-Palermo, ku predhat, të identifikuara si mbetje të vjetra të Luftës së Dytë Botërore, ndodheshin në thellësi të konsiderueshme dhe kishin qëndruar në fund të detit për më shumë se 80 vjet.

Tavo bëri të ditur se, edhe pse në thellësi të konsiderueshme dhe nën ujë për më shumë se 80 vjet, ato konsiderohen ende me rrezik potencial nëse aktivizohen.

Pas nxjerrjes në sipërfaqe, predhat u transportuan nga specialistët e ushtrisë për asgjësim të kontrolluar në kushte të sigurta.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›