E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të rinj nga Kosova u mbytën në Shëngjin, Begaj: Ngushëllime familjeve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova. Përmes një mesazhi publik, kreu i shtetit shprehu ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për tre personat e tjerë të lënduar në këtë ngjarje. “Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre”, shkroi Begaj. Presidenti theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e respektimit të masave të sigurisë në plazhe. Ai u bëri thirrje institucioneve qendrore dhe vendore, si edhe operatorëve turistikë, që të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror. Sipas Begajt, forcimi i masave të sigurisë është i domosdoshëm për të parandaluar ngjarje të ngjashme dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe vizitorëve në zonat bregdetare të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›