Dy vite nga sulmi i 7 tetorit, Gaza mes rrënojave dhe shpresës – Vazhdojnë bisedimet për paqe në Egjipt

Delegacionet nga Hamasi dhe Izraeli që prej të hënës kanë nisur bisedime indirekte në qytetin turistik egjiptian Sharm El-Sheikh, me synimin për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës.
Negociatat, të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara, po zhvillohen mbi bazën e një plani 20-pikësh të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, që përfshin një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish si dhe një armëpushim afatgjatë.
Sipas mediave shtetërore egjiptiane, raundi i parë i bisedimeve përfundoi të martën në mëngjes “mes një atmosfere pozitive”.
Bisedimet pritet të vazhdojnë gjatë ditës, me pjesëmarrjen e delegacionit izraelit që mbërriti të hënën dhe atij të Hamasit, të kryesuar nga Khalil al-Hayya, që mbërriti të dielën.
Presidenti Trump u shpreh optimist për arritjen e një marrëveshjeje, duke thënë se Hamasi ka pranuar disa kushte “shumë të rëndësishme”.
Ai paralajmëroi se ekzistojnë “vija të kuqe” dhe se nëse nuk përmbushen disa kërkesa, marrëveshja nuk do të realizohet. Një nga kushtet kryesore është çarmatimi i Hamasit.
Pjesëmarrësit në negociata
Delegacioni amerikan drejtohet nga i dërguari Steve Witkoff, ndërsa Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Trump, pritet të bashkohet në bisedime.
Delegacioni izraelit përfshin këshilltarin e politikës së jashtme Ophir Falk dhe, sipas raportimeve, mund të udhëhiqet nga Ron Dermer, i besuari i kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Hamasi ka shprehur gatishmëri për lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e pushtetit një organi palestinez të pavarur, por nuk ka komentuar mbi kërkesën për çarmatimin.
Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar se është i gatshëm të zbatojë fazën e parë të planit, por ka theksuar se çarmatimi i Hamasit mbetet një kusht i panegociueshëm.
Zyrtarët e Hamasit paralajmërojnë se mund të nevojiten ditë apo javë për të gjetur trupat e pengjeve të varrosura nën rrënoja.
Plani i propozuar nga SHBA parashikon:
Plani me 20 pika, për të cilin është rënë dakord nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, propozon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin e 48 pengjeve, vetëm 20 prej të cilëve mendohet se janë gjallë, në këmbim të qindra banorëve të Gazës të ndaluar.
Lirimin nga Izraeli të 250 palestinezëve me dënime të përjetshme dhe 1,700 të ndaluar që nga fillimi i luftës, përfshirë gratë dhe fëmijët.
Dorëzimin e 15 palestinezëve për çdo trup të një pengu të dorëzuar. Vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie dhe një administrate të përkohshme teknokratësh palestinezë për menaxhimin e përditshëm të territorit.Hamasi nuk do të marrë pjesë në administrimin e Gazës dhe infrastruktura e tij ushtarake do të çmontohet.
Anëtarët e Hamasit që zotohen për paqe do të amnistohen, ndërsa të tjerët mund të largohen nga Gaza. Ndihma humanitare do të menaxhohet nga organizata ndërkombëtare neutrale si OKB-ja dhe Gjysmëhëna e Kuqe.
Territori do të vihet nën mbikëqyrje ndërkombëtare, me Presidentin Trump dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair në rolin e mbikëqyrësve.
Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza si përgjigje.
Më 7 Tetor 2023, një sulm i papritur nga Hamas tronditi Izraelin, kur 6,000 militantët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe rrëmbyer 251 të tjerë.
Lufta ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze dhe ka lënë Gazën në rrënoja.
Militantët e Hamasit e shndërruan masakrën në një reality show, duke transmetuar imazhe të drejtpërdrejta të brutalitetit të pabesueshëm nga sulmet e tyre në festivalin muzikor Supernova. Që atëherë, 67 mijë e 160 persona janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite në Gaza, përfshirë 18 mijë fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të drejtuar nga Hamasi. 167,000 të plagosur dhe 2 milionë të zhvendosur.
Në një deklaratë përkujtimore të përvjetorit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se plani i Trump “paraqet një mundësi që duhet shfrytëzuar për t’i dhënë fund këtij konflikti tragjik”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, përsëriti mbështetjen e tij për planin në deklaratën e tij për përvjetorin, duke thënë se “Ne mirëpresim iniciativën e SHBA-ve drejt paqes në Lindjen e Mesme dhe kjo qeveri do të bëjë gjithçka që është në fuqinë tonë për të sjellë ditën kur çdo fëmijë i Izraelit mund të jetojë në paqe, së bashku me fqinjët e tyre palestinezë, në siguri dhe mbrojtje”.
Ndërkohë, mbeten mosmarrëveshje të mëdha që kërkojnë negociata të mëtejshme, veçanërisht mbi çarmatimin dhe strukturën e administratës së ardhshme në Gaza.
Bombardimet e para izraelite të Qytetit të Gazës filluan vetëm disa orë pas masakrës së 7 tetorit. Dhe ato vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
/rtsh.al/