E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dyfishohet nga tre në gjashtë milionë euro fondi për startup-et

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë shënimeve të javës, theksoi se qeveria ka vendosur të dyfishojë fondin e mbështetjes për startup-et në vitin 2026, për shkak të rritjes së ndjeshme të interesit për programin “Startup Albania”.

Rama tha se financimi është rritur nga tre milionë euro në gjashtë milionë euro, pasi numri i aplikimeve ka tejkaluar pritshmëritë.

Sipas tij programi nisi me më pak se 100 aplikime në vitet e para, ndërsa këtë vit janë regjistruar mbi 1200 aplikime, çka ka bërë të nevojshme rritjen e buxhetit për të mbështetur më shumë sipërmarrës të rinj.

“Në shënimin e fundit do të prek dy momente që duket sikur nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por në fakt janë të lidhur dhe i lidh pikërisht modernizimi, transformimi dhe rinia. Kemi dyfishuar programin e startup-eve. Financimi, nga 3 milionë euro të parashikuara, ka shkuar në 6 milionë euro mbështetje, pasi jemi gjendur përpara një rritjeje befasuese të numrit të aplikimeve në programin “Startup Albania”. E kemi nisur atë program me më pak se 100 aplikime dhe këtë vit jemi gjendur me më shumë se 1200 aplikime”, tha Rama.

Rama shtoi se “kjo na ka vendosur në pozicionin e detyruar që t’u përgjigjemi të rejave dhe të rinjve me një dyfishim të volumit të financimit dhe, ndërkohë, kemi komunikuar me ta dhe u kemi thënë se, në rast se aplikimet do të vazhdojnë të rriten me këtë trend, edhe mbështetja po ashtu do të vazhdojë të rritet sipas këtij trendi”.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›