Dyshohet se u helmuan nga ushqimi në Akademinë e Sigurisë, rreth 40 studentë përfundojnë në spital

Rreth 40 studentë të Akademia e Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit.
Sipas informacioneve paraprake, menjëherë pasi kanë konsumuar drekën, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore, ndërsa disa prej tyre janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Dyshimet e para lidhen me ushqimin e konsumuar gjatë vaktit të drekës, ndërsa pritet që analizat dhe ekspertizat përkatëse të përcaktojnë shkakun e saktë të incidentit.
Mësohet se shërbimi ushqimor në Akademinë e Sigurisë ofrohet nga një kompani private kateringu, e cila furnizon studentët me tre vakte në ditë.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe janë marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike.