E Ngarkuara me Punë e Misionit Diplomatik të Algjerisë, vizitë kortezie në zyrat e ATSH-së

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ – E Ngarkuara me Punë e Misionit Diplomatik të Algjerisë në Shqipëri, Nadia Lamrani zhvilloi sot një vizitë kortezie në ambientet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.
Ajo u prit nga drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa, e cila e njohu me aktivitetin mediatik të agjencisë.
E Ngarkuara me Punë, Nadia Lamrani tha se ”Agjencia Telegrafike Shqiptare shërben si një pikë e rëndësishme referimi për Misionin Diplomatik të Algjerisë në Tiranë”.
”Më bën përshtypje cilësia e lajmeve të transmetuara nga ATSH. Ato shquhen për qartësi, paanshmëri, korrektesë dhe sidomos për faktin që shërbejnë në punën e përditshme të misionit”, theksoi Lamrani.
Pikërisht për këtë, ajo kërkoi forcimin e bashkëpunimit me ATSH nëpërmjet agjencisë zyrtare algjeriane të lajmeve, APS.
Drejtoresha e përgjithshme, Valbona Zhupa falënderoi Lamranin për fjalët e mira në drejtim të agjencisë që ajo drejton duke theksuar se ”ato marrin rëndësi më të madhe po të kemi parasysh fenomenin e dezinformimit, që ka përfshirë median në ditët tona”./