E Diel, 1 Nëntor 2026

E akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, Prokuroria Fier dërgon për gjykim avokaten

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim avokaten Alma Bala, e akuzuar për disa vepra penale, përfshirë “Mashtrim”, “Mashtrim me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Sipas Prokurorisë, hetimet nisën pas denoncimeve të shumta të shtetasve të ndryshëm, të cilët pretendojnë se avokatja u ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, duke mashtruar se po ndiqte proceset gjyqësore.

Nga hetimet rezultoi se avokatja u ka kërkuar persona të ndryshëm shuma parash me pretendimin se fondet nevojiteshin për përfaqësimin e tyre ligjor. Në realitet, nuk është hapur asnjë proces gjyqësor dhe nuk janë kryer veprimet administrative që pretendoheshin.

 “Për ta bërë të besueshme pretendimin e saj, në raste të caktuara, ajo i ka dorëzuar shtetasve akte që përmbajtja e tyre nuk përfaqësonte realitetin. Kjo mënyrë veprimi nga e pandehura është përdorur edhe në raste të tjera dhe përgjithësisht të dëmtuarit identifikoheshin shtetas të cilët jetonin jashtë territorit dhe nuk kishin mundësi të ishin prezent në çdo kohë në Shqipëri dhe nuk kishin informacione në lidhje me procedurat gjyqësore apo administrative që pretendonte që ndiqte avokatja në emër të tyre”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në disa raste, e pandehura ka dorëzuar dokumente të falsifikuara për të bërë të besueshëm pretendimin e saj.

Viktimat, kryesisht shtetas që jetonin jashtë Shqipërisë dhe që nuk kishin mundësi të verifikonin ecurinë e çështjeve, janë mashtruar në mënyrë të përsëritur.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria ka ngritur akuzat:

“Mashtrim” më shumë se një herë në dëm të viktimave A.S., K.S., O.Sh., D.L.

“Mashtrim me pasoja të rënda” në dëm të viktimës M.Sh.

“Falsifikim i dokumenteve”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›