Hetimet për Tunelin e Llogarasë, kreu i ARRSH, Gentian Gjyli paraqitet në SPAK

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli është paraqitur këtë të martë (2 dhjetor) në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me dy procedura të mëdha prokurimi: tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, Loti 4.
Gjyli ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) pasi akuzohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në vijim të hetimeve për manipulimin e tenderit publik për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, Gentian Gjyli mbante detyrën si Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar
Më herët në SPAK u paraqit edhe Drejtori i KESH, Erald Elezi. Ndaj Elezit është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi sipas SPAK, ai akuzohet për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
“Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurve; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë të bëjnë me veprimet e tyre në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit, i rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale, Evis Berberi – Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi – Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli – Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, specialiste të nivelit të lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhej në njoftimin e SPAK.
/rtsh.al/