E akuzuar për përfshirje në vrasjen e Fatbardh Licit, Eria Ago kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Eria Ago, e arrestuar më 26 shkurt 2025, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë.
E reja, ish-miss, ka mohuar çdo akuzë lidhur me përfshirjen e saj në vrasjen e Licit, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me krimin.
Më herët ndaj të dashurës së Safet Bajrit, është zbutur masa e sigurisë në ‘arrest shtëpie’.
Megjithatë, gjykata nuk ka pranuar mbrojtjen e saj dhe ka vendosur të vazhdojë masën e sigurisë ndaj saj, duke e transferuar në arrest shtëpie.
AKUZAT
Ago u arrestua me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje kjo e ndodhur më 10 gusht të vitit 2018 në lagjen Kiras në Shkodër.
Në atë kohë, ajo dyshohet se ka qenë e dashura e Safet Bajrit (Rustemit), i cili është një prej të akuzuarve në atë ngjarje.
Sipas dosjes hetimore, ajo dyshohet se ka patur rolin e drejtueses së automjetit me të cilin ndodheshin Astmer Bilali dhe Safet Bajri, duke çuar dy ekzekutorët e Licit drejt Shkodrës ditën e vrasjes.
Ndaj saj rëndon akuza për veprën penale të krijimit të kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje te autorit të krimit.
Për ekzekutimin e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit.