E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“E la kimioterapinë për festivalin”/ Adelina Muça flet për sakrificat e aktorit që humbi jetën

Aktorja dhe regjisorja Adelina Muça ka ndarë një rrëfim prekës për kolegun dhe mikun e saj, Gjergj Mena, i cili u nda nga jeta së fundmi.

E ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ajo kujtoi me emocione njeriun me të cilin kishte ndarë jo vetëm skenën, por edhe miqësi të veçantë ndër vite.

“Vërtet na erdhi keq. Përveçse ishte shumë i ri, ishte një djalë i jashtëzakonshëm. Ndër njerëzit e rrallë që ne mund të hasim, qoftë në jetën e përditshme dhe qoftë edhe në punë”, u shpreh aktorja, duke rikthyer në kujtesë lidhjen e tyre ndër vite.

“Herën e fundit kur e takova, ishte duke bërë gati festivalin për të rinjtë, një projekt gjigant që ai arriti që të linte përgjysmë kimioterapinë, vetëm që të vazhdonte festivalin. Dhe për këtë unë kërkoj një duartrokitje të madhe për atë njeri, sepse ia ka kushtuar jetën, ia kushtoi jetën teatrit”, rrëfeu ajo.

Për aktoren, kontributi i tij nuk matet vetëm me veprat artistike, por mbi të gjitha me gjurmët që la te brezat e rinj. Përmes aktiviteteve kulturore dhe teatrit, Gjergj Mena ndihmoi shumë të rinj të zbulonin talentin e tyre dhe të gjenin rrugën drejt artit, duke krijuar mundësi për artistët e së ardhmes.

“Mbase nuk e mori vlerësimin e duhur, siç ndodh shpesh, por që ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Gjithë ata fëmijë, gjithë ata të rinj që janë bërë pjesë e aktiviteteve kulturore, janë bërë pjesë e teatrit, kanë fituar shkollën për të ardhmen e tyre për t’u bërë artistë, artistët e rinj. Domethënë, ky ka qenë një kontribut që Gjergji e ka dhënë dhe i jemi falënderues”, tha Muça.

Mes kujtimeve të bukura, regjisorja ndau edhe një nga pengjet që i ka mbetur pas ndarjes së tij nga jeta. Ajo tregoi se pas premierës së shfaqjes “Jerma”, në muajin korrik, ku ishte pjesë edhe vajza e saj, kishin planifikuar të kalonin disa ditë pushime së bashku. Madje, kishin lënë një darkë dhe kishin folur për planet që do të realizonin, por gjithçka ndryshoi papritur.

“E kishim lënë në fakt që në korrik patëm atë premierën e fundit ku ishte pjesë edhe ime bijë, ‘Jerma’, edhe e kishim lënë, ngrënëm një darkë dhe e kishim lënë që do të shkonim me pushime bashkë. Pas dy ditësh që unë do të shkoja nuk e gjeta, sepse aty kishte pësuar këtë goditjen e fundit”, tregoi ajo me emocione.

Adelina Muça kujtoi se Gjergji kishte treguar një forcë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe, duke mos e lënë sëmundjen t’i merrte përkushtimin ndaj asaj që donte më shumë. Një njeri që, pavarësisht vështirësive, vazhdoi të mendonte për teatrin, të rinjtë dhe të ardhmen e artit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›