E mori rrjedha e përroit, humb jetën 40-vjeçari në fshatin Mlizë të Elbasanit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Mlizë në Njësinë Administrative Gjinar të Elbasanit, ku 40-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht, pasi u rrëmbye nga rrjedha e përroit që kalon pranë fshatit.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa viktima, i identifikuar si Florian Tahiri, dyshohet se po kalonte urën në momentin kur u mor nga prurjet e shtuar të ujit. Pasi ai nuk u kthye në shtëpi në drekë, familjarët dhanë alarmin dhe nisën kërkimet përgjatë shtratit të përroit.
Pamjet e kamerave të disa bizneseve pranë zonës kanë fiksuar momentet kur 40-vjeçari është rrëmbyer nga rrjedha e fuqishme e ujit, duke ndihmuar grupet e kërkimit në përcaktimin e drejtimit të lëvizjes së trupit.
Kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës nga ekipet e zjarrfikësve dhe strukturat e emergjencave civile të Elbasanit. Trupi i pajetë i të ndjerit është gjetur mëngjesin e sotëm, rreth 1 kilometër larg urës ku dyshohet se ndodhi aksidenti.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/