E Martë, 3 Nëntor 2026

EGJIPT – Al-Sisi i kërkon Trumpit t’i japë fund luftës në Gaza

KAJRO, 28 korrik /ATSH-AFP/ – Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi i bëri thirrje sot presidentit të SHBA-së Donald Trump të veprojë ndaj krizës humanitare në Gaza, duke thënë se “ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës”.

”Trump është në gjendje të ndalojë luftën dhe të lejojë shpërndarjen e ndihmës humanitare”, tha presidenti në një fjalim televiziv mbi krizën humanitare në Gaza.

“I bëj një apel të veçantë shkëlqesisë së tij presidentit Trump. Ju lutem bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj për të ndaluar këtë luftë dhe për të lejuar shpërndarjen e ndihmës”, tha ai.

Gjatë një udhëtimi në Skoci, presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi një armëpushim të mundshëm në Gaza, megjithëse përpjekjet e ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari ende nuk kanë pasur sukses.

Popullsia e Gazës prej më shumë se dy milionë banorësh po përballet me uri në rritje dhe kequshqyerje të përhapur, sipas Kombeve të Bashkuara.

Nën presionin ndërkombëtar, Izraeli kohët e fundit lejoi ndihmë të kufizuar humanitare në territor.

Rreth 2,4 milionë palestinezë janë rrethuar që nga fillimi i luftës, e cila ka lënë gati 60 000 të vdekur në Gaza, kryesisht civilë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit, e konsideruar e besueshme nga OKB-ja.

Ky konflikt u shkaktua nga një sulm në tokën izraelite nga lëvizja islamike palestineze Hamas më 7 tetor 2023./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›