E Hënë, 2 Nëntor 2026

EKUADOR – Sulm ndaj automjetit të presidentit Noboa, arrestohen të dyshuarit

KUITO, 8 tetor /ATSH-DPA/- Një konvoj që përfshinte automjetin e presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa u rrethua dje nga rreth 500 persona dhe u godit me gurë, sipas raporteve qeveritare.

“Noboa ishte duke shkuar në një aktivitet në qytetin Canar në Ekuadorin qendror”, tha ministrja e Energjisë, Ines Manzano në një video të postuar në Instagram – duke shtuar se më vonë ishin gjetuar vrima plumbash në automjetin e presidentit konservator. Ai nuk pati lëndime.

Qeveria postoi një video në platformën X – ku tregohej sulmi i njerëzve që hidhnin gurë të mëdhenj drejt automjetit të presidentit dhe thyenin xhamat e saj.

Sipas Manzano, pesë sulmues të dyshuar u arrestuan dhe u akuzuan për tentativë vrasjeje dhe terrorizëm.

Ky ishte sulmi i dytë brenda pak javësh.

Në fund të shtatorit, protestuesit pranë qytetit verior, Cotacachi sulmuan një konvoj që transportonte ndihma humanitare, të udhëhequra nga Noboa dhe diplomatë të BE-së.

Dymbëdhjetë ushtarë u plagosën gjatë incidentit.

Që nga mesi i shtatorit, organizata të ndryshme në Ekuador kanë organizuar protesta – duke përfshirë bllokime rrugësh – kundër shkurtimeve të subvencioneve për naftë dhe masave të tjera shtrënguese qeveritare.

Noboa, 37 vjeç, ka qenë president që nga viti 2023 dhe u rizgjodh në prill.

Një nga sfidat e tij më të mëdha është krimi i përhapur, ndërsa bandat e fuqishme të drogës zgjerojnë aktivitetet e tyre – në atë që dikur ishte një vend relativisht i sigurt.

Sasi të mëdha kokaine kontrabandohen nëpërmjet porteve të Paqësorit kryesisht në Evropë dhe Azi. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›