E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRAT/ Akuza për mashtrime dhe pastrim parash/ Sekuestro kompanisë, detyrim paraqitjeje për administratorin

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për shtetasin italian Giovanni Telesco, i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i parave”.

Në kuadër të të njëjtit hetim, gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestro mbi kompaninë Euro-Beton 2005, si dhe mbi llogaritë bankare të saj dhe ato personale të Telesco-s.

“Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë fazë, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Giovanni Battista Telesca, administrator i shoqërisë “Euro-Beton 2005” sh.p.k., ka mashtruar me anë të shpërdorimit të besimit shtetasin Altin Mamica, duke përfituar në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Euro Beton 2005” sh.p.k., ku 51% të aksioneve zotërohen nga djali i tij Pietro Telesca. Gjithashtu, ai ka zhvilluar aktivitet ekonomik të pafiskalizuar, duke krijuar të ardhura të larta në rrugë të paligjshme, duke fshehur dhe shmangur detyrimet tatimore nëpërmjet mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim fitimin material për vete. Në rastin konkret, vetëm vlera e TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar) është 14.972.918 lekë”, thekson prokuroria.

Ndërkohë, u vendos sekuestrimi i kompanisë “Euro Beton 2005” sh.p.k., llogarive bankare të kësaj kompanie, si dhe llogarive bankare në emër të të dyshuarit Telesca.

Referuar dosjes hetimore, rezulton se ortakët shqiptarë të kompanisë janë Arjan Ormenaj dhe Bujar Gazheli.

Ormenaj rezulton një prej personazheve të skeduar si i përfshirë në pastrimin e parave të organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, e cila është goditur nga SPAK. Ndërsa Gazheli rezulton se përmes kompanisë së tij AMD ka përfituar fonde publike në sektorin e shëndetësisë.

Organet ligjzbatuese vijojnë punën për zbardhjen e plotë të çështjes dhe dokumentimin e aktivitetit të dyshuar financiar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›