E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRAT/ Finalizohet ekstradimi nga Dubai, gjashtë shtetas kthehen në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë

Një operacion i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar ka përfunduar ditën e sotme, më 5 qershor, me ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të gjashtë shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Personat e ndaluar në Dubai akuzohen si pjesëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, me veprimtari të shtrirë në fushën e narkotikëve, pastrimit të parave dhe krimeve kompjuterike.

Detajet e operacionit dhe të akuzuarit

Sipas informacioneve zyrtare nga strukturat ligjzbatuese, procesi i transferimit të tyre drejt Shqipërisë vjen si rezultat i koordinimit të drejtpërdrejtë me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese të Emirateve të Bashkuara Arabe, u finalizua ekstradimi në Shqipëri.”, theksohet në deklaratën për shtyp të policisë.

Lista e shtetasve të ekstraduar, të cilët pritet të paraqiten përpara autoriteteve ligjzbatuese shqiptare, përfshin:

Kristo Qirici (alias Jetmir Hoxha, alias Jetmir Qirici), 44 vjeç.

Shkelzen Kraja, 44 vjeç.

Aleks Pepaj (alias Shkelqim Pepaj), 38 vjeç.

Devit Patrut (alias Elidon Skendaj, alias Devid Boraj, alias Fatmir Pepaj), 39 vjeç.

(Të katër shtetasit e mësipërm janë të akuzuar për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe/ose pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale).

Ilir Lazri (alias Ilir Sula), 30 vjeç, i akuzuar për pastrim të produkteve të veprimtarive kriminale.

Merxhan Celiku, 34 vjeç, i akuzuar për mashtrim kompjuterik.

Të gjithë të dyshuarit akuzohen se i kanë kryer këto vepra penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ky zhvillim shënon një hap konkret në goditjen e elementëve kriminalë që strehohen jashtë kufijve, duke i vënë ata përballë procedurave ligjore në vendin tonë.

“Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vendosjen e tyre përpara drejtësisë.”, thekson policia në deklaratë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›