E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRAT/ Operacion kundër armëmbajtjes pa leje, përfundojnë në pranga 3 persona në Krujë

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Flagranca 3”, në vijim të aksioneve kundër armëmbajtjes pa leje.

Gjatë aksionit, në fshatin Luz të Krujës, u arrestua 38-vjeçari Egeralt Mziu, i cili lëvizte me një armë zjarri pistoletë me municion luftarak në automjetin që drejtonte.

Në pranga ranë gjithashtu edhe dy pasagjerët e tij Enis Dema, 34 vjeç dhe Ilir Dobrozi, 39 vjeç, pasi nuk kallëzuan posedimin e armës.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, pas administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë policore mbi persona që qarkullonin të armatosur.

“Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, me objektiv identifikimin e shtetasve, të cilët duke lëvizur të armatosur, cenojnë sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, finalizuan operacionin policor të koduar “Flagranca 3”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 38 vjeç, E. D., 34 vjeç dhe I. D., 39 vjeç.

Nga kontrolli në automjetin që drejtonte 38-vjeçari, në fshatin Luz, Krujë, në të cilin ishin pasagjërë 2 të arrestuarit, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›