EMRI/ Djali merr peng në banesë prindërit, i izoloi në dhomë dhe i kërcënoi me thikë. Vetëdëmtohet në zonën e barkut

Policia e Himarës ka ndërhyrë për të parandaluar një ngjarje të rëndë familjare, ku një 35-vjeçar, i identifikuar si Spiro Dhimaleksi, kishte mbajtur peng prindërit e tij në banesë, nën kërcënimin e një mjeti prerës.
Pas më shumë se një ore negociatash intensive, një efektiv i policisë, banor i zonës, ka arritur të komunikojë drejtpërdrejt me autorin, duke ndikuar në uljen e tensionit.
Në momentin e ndërhyrjes, 35-vjeçari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës, duke shkaktuar plagë në zonën e barkut.
Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e neutralizuar dhe duke i hequr mjetin prerës, çka bëri të mundur shpëtimin e dy prindërve pa lëndime.
Më pas, 35-vjeçari është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Himarë dhe më tej në Vlorë, ku ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal, si dhe është referuar për trajtim në shërbimet psikiatrike.
Ndërkohë, prindërit e tij janë marrë në pyetje nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Policia njofton se falë ndërhyrjes profesionale dhe negociatave të kujdesshme, u bë e mundur shmangia e një tragjedie të mundshme.