EMRI/ Kapet me dy kallashnikovë 22-vjeçari në Tiranë, dyshohet se do t’i shiste për grupe kriminale

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Tuneli”, duke arrestuar një 22-vjeçar nga Burreli, i cili po transportonte armë zjarri drejt kryeqytetit.
I arrestuari është Ardit Doçi, i cili u kap në tunelin e Murrizit, teksa udhëtonte me automjetin e tij. Gjatë kontrollit, në bagazhin e makinës, policia gjeti të fshehura 2 armë zjarri tip kallashnikov dhe 4 krehra municioni.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu po i transportonte armët për në Tiranë, me qëllim shitjen për llogari të grupeve kriminale. Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe telefoni i tij.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:
A.D., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv