E Diel, 1 Nëntor 2026

EMRI/ Kapet në Laç shqiptari i shumëkërkuar nga Spanja, përdorte katër identitete

Vijojnë me intensitet operacionet e njëpasnjëshme të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, me fokus kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 58”, është finalizuar me sukses ndalimi i një shtetasi të shumëkërkuar nga autoritetet spanjolle. Në qytetin e Laçit, forcat speciale kapën dhe vunë në pranga Gjergj Gjoka, 40 vjeç, lindur në Lezhë, i cili përdorte katër identitete të ndryshme: Gjergj Gjoka, Gjergj Marku, Gjergj Ruqja dhe Gjergi Ruqja.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Instruksionit nr. 1 në Castellon de la Plana, në Spanjë, e cila në vitin 2025 ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepra penale të rënda si:

“Krime kundër shëndetit publik – Kultivim i bimëve narkotike”,

“Pjesëmarrje në organizatë kriminale”,

“Vjedhje e energjisë elektrike”.

Hetimet spanjolle zbulojnë se Gjoka ishte pjesë aktive e një grupi të strukturuar kriminal, ku secili anëtar kishte detyra specifike – nga sigurimi dhe përshtatja e ambienteve për kultivimin e drogës, deri te montimi i pajisjeve për kultivim. Gjatë operacioneve policore në Spanjë, janë zbuluar dy objekte të përshtatura për kultivim narkotikësh, në Oropesa dhe Cabanes.

Operacioni në Shqipëri u mundësua falë shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit mes INTERPOL Tiranës dhe INTERPOL Madridit.

Aktualisht po vijon procedura për ekstradimin e tij drejt Spanjës, ku do të përballet me drejtësinë për veprat penale të kryera.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›