EMRI/ Shkarkohet zv/ministri i mbrojtjes. Ja kush emërohet

Këshilli i Ministrave, mes disa vendimesh që ka marrë gjatë mbledhjes së sotme, ka shkarkuar nga detyra e zv/ministrit të mbrojtjes Andrea Shllaku.
Në vend të tij, është emëruar Pranvera Skana, kandidate e PS-së në Lezhë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.

Kush është Pranvera Skana?
Pranvera Skana ka lindur në Rrëshen, Mirditë, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Më pas, ajo vijoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën e Gazetarisë dhe Komunikimit.
Ajo ka përfituar dy bursa prestigjioze për lidership akademik në Londër, duke thelluar studimet e saj në fushën e komunikimit.
Ka ndjekur studimet master në University of Westminster dhe ka qenë kërkuese shkencore (Visiting Fellow) në London School of Economics.
Që prej vitit 2014, Skana mban titullin Doktor në Shkencat e Komunikimit.
Ajo është një eksperte e njohur në fushën e medias dhe komunikimit, me një profil aktiv në media, duke trajtuar tema mbi emigracionin, zhvillimet politike në Britani, çështjet sociale, barazinë gjinore, të rinjtë, sistemin arsimor dhe ndikimin e rrjeteve sociale.
Gjatë mandatit të saj si diplomate në Ambasadën Shqiptare në Londër (2016-2019), Skana u angazhua në aktivitete të shumta për diplomacinë publike dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ku spikat veçanërisht seria e eventeve “Një mik për Shqipërinë”.
Ajo ka kontribuar ndjeshëm në krijimin dhe aktivizimin e rrjetit të grave shqiptare në Britani, si dhe në promovimin e rrjetit të studentëve dhe profesionistëve shqiptarë atje.
Me një angazhim të vazhdueshëm dhe një zë të spikatur në media, Pranvera Skana është një përfaqësuese dinjitoze e komunitetit shqiptar dhe një promovuese e denjë e krahinës së saj në çdo dalje publike.
Këshilli i Ministrave vendosi:
– Miratimin e kërkesave, procedurave dhe standardeve për menaxhimin e mbetjeve spitalore.
Objekt i këtij vendimi është miratimi i kërkesave, procedurave dhe standardeve për menaxhimin e mbetjeve spitalore, në përputhje me sistemin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe hierarkinë e mbetjeve, me qëllim mbrojtjen e mjedisit e tëshëndetit publik.
– Miratimin e modelit të financimit të buxhetit për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, me qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe të matshëm të financimit të kërkimit shkencor, i cili zbatohet për të gjitha institutet dhe njësitë e veçanta publike kërkimore, në varësi të ministrive dhe institucioneve qendrore të administratës shtetërore
– Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territoret e Bashkive: Tropojë, Gramsh, Sarandë, Kuçovë.
– Krijimin e fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale, të njohura si të tilla nga ministri përgjegjës për çështjet sociale, me vlerë të përgjithshme 210 000 000 (dyqind e dhjetë milionë) lekë, për periudhën 2026-2028, sipas produktit përkatës të parashikuar në programin buxhetor afatmesëm “Përkujdesjasociale”.
– Miratimin, në parim, të Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025.
– Përcaktimin e masës së financimit në buxhetin e vitit 2026 për Bashkësitë Fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave. Masa e financimit, prej 203 000 000 (dyqind e tremilionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2026, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare.
– Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”.
Njëherësh u miratua:
– Z. Andrea Shllaku, zëvendësministër i Mbrojtjes, lirohet nga kjo detyrë.
– Znj. Pranvera Skana emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.