EPP Women: Dënojmë sulmin e Ballës ndaj Vokshit në Parlament

TIRANË, 6 mars/ATSH/ “EPP Women” ka reaguar ashpër pas deklaratës të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj zv. kryetares së tyre, Albana Vokshi, gjatë seancës plenare të Kuvendit ditën e djeshme.
Në deklaratën e tyre, EPP Women theksojnë se komentet e tilla dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike dhe se indiferenca e shumicës ndaj incidentit është e papranueshme.
Grupi shpreh solidaritet të plotë me Vokshin dhe bën thirrje që të gjithë aktorët politikë të respektojnë dinjitetin e grave dhe të shmangin gjuhën dhe sjelljet seksiste.
“Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike,” thekson EPP Women në deklaratën zyrtare.
/m.m/a.f/