ERE: Klientët e lidhur në 6 kV, në treg të lirë nga 1 janari i ardhshëm

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Bizneset e lidhura në nivel tensioni 6 kilovolt do të duhet të sigurojnë vetë furnizimin me energji elektrike në tregun e lirë, duke kontraktuar një furnizues privat, duke nisur nga 1 janari 2026.
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) u ka bërë thirrje këtyre klientëve që të marrin masat e nevojshme për t’u përshtatur me fazën e fundit të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Sipas ERE-s, nga 1 janari 2026, klientët e lidhur në nivelin e tensionit 6 kV, të cilët plotësojnë kriteret ligjore dhe teknike për dalje në tregun e liberalizuar, kanë detyrimin të gjejnë dhe të kontraktojnë furnizuesin e tyre në tregun e lirë.
Në faqen zyrtare të ERE-s janë të publikuara listat e furnizuesve të licencuar, si dhe mënyrat e kontaktimit dhe kontraktimit të tyre.
Gjithashtu, konsumatorët mund të përdorin platformën e krahasimit të çmimeve PCT (Price Comparison Tool), të ndërtuar nga ERE, në adresën https://pct.ere.gov.al/, për të gjetur ofertat më të përshtatshme të furnizimit sipas kategorisë përkatëse.
Rregullatori thekson se konsumatorët që kanë plotësuar kriteret për daljen në treg të lirë, por që nuk kanë arritur të kontraktojnë një furnizues ose kanë humbur furnizuesin aktual, mund të përfitojnë përkohësisht nga shërbimi i “Furnizuesit të Mundësisë së Fundit”.
Ky furnizim ofrohet për një periudhë të kufizuar prej 60 ditësh, në kushte të rregulluara, në përputhje me legjislacionin e sektorit të energjisë elektrike.
Në çdo rast, ERE nënvizon se subjektet kanë të drejtë ligjore të ndryshojnë furnizuesin pa pagesë.
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri nisi në 2018-ën, fillimisht me bizneset e lidhura në tension 35 kV. Më pas, në faza të njëpasnjëshme, në tregun e lirë kanë kaluar edhe bizneset e lidhura në tension 20 kV dhe 10 kV. /j.p/
